Euroja pritet të shënojë rënie edhe më të madhe përballë lekut. Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që kjo valutë të zbresë nën 90 lekë, madje mund të shkojë deri në 87 lekë.
Pas thyerjes së nivelit prej 92 lekësh, valuta evropiane mund të vijojë rënien në muajt e ardhshëm, ndërsa një pjesë e ekspertëve presin që kursi të stabilizohet rreth 90 lekëve.
Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa ka thënë se sinjalet që vijnë nga tregu tregojnë për një ekuilibër të mundshëm të euros pranë këtij niveli.
“Nisur nga sinjalet që po marrim nga tregu, ne presim që euroja të gjejë një pikë ekuilibri rreth 90 lekëve. Në një skenar më ekstrem mund të shohim edhe nivele rreth 87 lekë, por ky nuk është skenari që ne do të dëshironim të materializohej”, është shprehur Sefa, raportoi “A2CNN”.
Sipas Sefës, vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit në ekonominë shqiptare kanë hyrë rreth 8.27 miliardë euro, të nxitura nga turizmi, emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendet evropiane, eksportet e mallrave dhe investimet e huaja.
Kjo sasi e madhe valute ka ndikuar në raportin mes kërkesës dhe ofertës në tregun e këmbimit.
“Janë tërhequr mbi 1.7 miliardë euro. Imagjinoni sikur kjo shumë të mos ishte tërhequr. Kemi një kombinim faktorësh që po shtojnë ofertën e valutës në treg”, ka thënë ai.
Sipas tij, turizmi është vetëm një pjesë e këtij fluksi, ndërsa në treg ndikojnë edhe paratë e dërguara nga emigrantët, eksportet dhe investimet e huaja.
“Kur këto burime valutore hyjnë në një periudhë të shkurtër në ekonomi, presioni për forcimin e lekut bëhet i natyrshëm”, ka thënë më tej Sefa.
Për shkak të forcimit të lekut, edhe monedhat e tjera kryesore po këmbehen në nivele më të ulëta.
Dollari amerikan po këmbehet mesatarisht me rreth 81 lekë, ndërsa funta britanike ka zbritur nën 107 lekë.
Edhe franga zvicerane ka pësuar rënie të ndjeshme, duke zbritur në rreth 97 lekë, niveli më i ulët i raportuar deri tani.