Tritan Shehu, deputet i Partisë Demokratike në Shqipëri, ka vlerësuar se deklarata e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u dënuan dje në Hagë, nuk është e mjaftueshme si akt nga Shqipëria.
Të enjten, Kuvendi i Shqipërisë ka dënuar vendimin e dhënë një ditë më parë nga Gjykata Speciale në Hagës, për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, duke i dënuar për krime lufte. Në një deklaratë të përbashkët, të lexuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ritheksohet qëndrimi se lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, duke kundërshtuar represionin, dhunën, përndjekjen dhe krimet e kryera nga regjimi i Sllovodan Millosheviçit. Nëpërmjet deklaratës, Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë. Deputetët e Shqipërisë kanë kërkuar nga qeveria e këtij shteti e edhe nga ajo e Kosovës që të koordinohen për të korrigjuar verdiktin e publikuar një ditë më parë nga Gjykata Speciale.
Në një lidhje në “Konfront” të KTV-së, Shehu ka thënë se kjo deklaratë nuk ka fuqinë që do të mund të kishte një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
Ai ka thënë se pavarësisht se e sheh deklaratën si pozitive, “ajo mbetet e pamjaftueshme”.
“Diçka tjetër është rezoluta dhe diçka tjetër deklarata. Rezoluta është detyruese që të ndiqet nga Qeveria sepse vjen nga parlamenti, është e gjerë dhe e fokusuar dhe bazuar në fakte. Rezoluta ka tjetër fuqi juridike”, ka thënë ai. “Hapi i sotëm që më në fund mazhoranca e pranoi që është e ngjashme dhe pak më e avancuar se deklarata e miratuar disa muaj më parë për liderët sa ishin të burgosur. Por s’e mbush boshllëkun e rezolutës për të njohur dhe dënuar gjenocidin në Kosovë dhe më pas me kërkesat e parlamentit për qeverinë. Është ende boshllëk që duhet mbushur. Keq që s’u fut edhe rezoluta”, ka thënë ai.
Vite më parë Kuvendi i Shqipërisë nuk pati miratuar një rezolutë që e njihte dhe dënonte gjenocidin serb në Kosovë, si dhe që parashihte të ndihmonte autoritetet e Kosovës në aktpadinë ndaj Serbisë në gjykatat ndërkombëtare.
Lidhur me këtë deklaratë të sotme, edhe analisti Agim Sopi ka thënë se ajo është bërë “sa për të shpërlarë ndërgjegjen”.