Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është alarm për drejtësinë dhe shtetin.
Bajrami ka thënë se vendimi dërgon, sipas saj, një mesazh të rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit, duke ngritur shqetësime për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
“Shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është alarm për drejtësinë dhe për shtetin. Sot u dha një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit: kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni”, ka shkruar ajo.
Sipas Bajramit, vota qytetare i jep pushtetit të drejtën për të qeverisur, por jo për të kontrolluar prokurorinë dhe gjykatat.
“KPK-ja nuk duhet të jetë vegël e asnjë pushteti politik. Nëse një prokuror mund të largohet sepse vendimet e tij nuk i pëlqejnë pushtetit, atëherë nesër askush në drejtësi nuk mund të ndihet i sigurt kur heton një ministër, një deputet apo cilindo zyrtar të fuqishëm”, ka deklaruar deputetja.
Bajrami ka thënë se, në një situatë të tillë, kur pushteti kontrollon institucionet që duhet ta kontrollojnë atë, qytetari mbetet i pambrojtur.
“Këtë nuk duhet ta pranojmë si normale dhe nuk do ta pranojmë!”, ka përfunduar Bajrami.