Akademiku Ali Aliu ka rrëfyer se Rexhep Qosja kishte refuzuar të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ndonëse, sipas tij, në fillim nuk ishte kundër themelimit të partisë. Sipas tij, Qosja iu ofrua kjo pozita pasi fillimisht refuzoi Ibrahim Rugova.
Aliu ka thënë se nuk ka qenë e qartë nëse Qosja kishte hezitim për t’u përfshirë në LDK apo kishte arsye të tjera, por ka treguar se ai nuk kishte shfaqur kundërshtim ndaj subjektit të ri politik.
“Unë e di këtë që Qosja në fillim nuk ishte kundër LDK-së, po nuk donte vetëm. Pse nuk donte, nuk donte të përzihej apo dhe ndonjë lloj droje, ne asnjëherë nuk ishim të sigurt”, ka thënë Aliu në podcastin “PIKË”, në bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi.
Aliu ka rrëfyer se gjatë një takimi me Qosjen në Sarajevë, ai e kishte ftuar që t’i bashkohej kryesisë së LDK-së, por Qosja kishte refuzuar.
“Po jemi të hapur aty, a po vjen në kryesi, burrë të të marrim?”, ka treguar Aliu se e kishte pyetur Qosjen. “Ende jo. Po ti rri dhe vazhdoje aty, mirë është”, ishte përgjigjur Qosja, sipas Aliut.
Aliu ka theksuar se kjo nuk nënkuptonte se Qosja ishte kundër LDK-së.
“Domethënë, nuk ishte, s’kishte gjë kundër”, ka thënë ai.
Në bashkëbisedim, Surroi ka vlerësuar se qëndrimi i Qosjes mund të lidhej edhe me mënyrën e tij të qasjes ndaj bashkëpunimit.
“Qosja nuk ka qenë profili i njeriut i cili do të bashkëpunonte në një ambient, ishte shumë më individualist në qasje, kështu që ishte krejtësisht e natyrshme ajo”, ka thënë Surroi.