Përplasjet mes kryetarit dhe deputetëve të Lidhjes Demokratike janë zhvendosur në rrjetet sociale. Lideri i partisë, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar deputetët nga LDK-ja se po e rrotullojnë shtetin vetëm për t’ia zënë karrigen. E deputetja Hykmete Bajrami, kryetarin e saj e ka quajtur humbës të trefishtë të zgjedhjeve
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka akuzuar disa deputetë të subjektit që e udhëheqë vet, se duan ta rrotullojnë shtetin vetëm për ta marrë drejtimin e partisë.
Abdixhiku ka reaguar pasi një ditë më parë në emisione të ndryshme televizive, Avdullah Hoti ka thënë se do të punojë që Kujtim Shala të bëhet kryetar i partisë, e Hykmete Bajrami ka shprehur synimin e saj që ta marrë drejtimin e LDK-së.
Abdixhiku në një postim në Facebook ka shkruar se populli nuk do i falë.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje! LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka shkruar Abdixhiku.
E kryetarit të LDK-së, i ka reaguar deputetja Bajrami.
Ajo Abdixhikun e ka quajtur humbës të trefishtë të zgjedhjeve, tek e ka akuzuar se nuk e ka respektuar standardin që të lëshojë rrugë pas disfatës.
“Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi. Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar. Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër. Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur”, ka thënë Bajrami në kundëreagimin e saj.
Bajrami ka thënë se temat të shtetit, tek të cilat duhet drejtuar vëmendja, janë shkeljet kushtetuese e ligjore që sipas saj i ka bërë pushteti i Vetëvendosjes.
E deputeti Hoti, ka propozuar një ide që sipas tij, do e pajtonte e unifikonte partinë.
“Konventa duhet të jetë një bashkim i madh dhe një moment i ri për LDK-në. Ajo duhet të përcaktojë ekipin që do ta udhëheqë LDK-në drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme. Mbi të gjitha, konventa duhet të ri-vendosë besimin e brendshëm, që është parakusht për unitet, punë ekipore dhe fitore”, ka thënë Hoti.
Javën e shkuar LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje që Bekim Sejdiun ta propozojnë si kandidat të përbashkët për president.
Kësaj kandidature kundër i kanë dalë deputetët Avdulla Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri.
E në një konferencë për media, Abdixhiku i ka akuzuar të gjashtit se po e çojnë vendin në zgjedhje.
Një pjesë e këtyre deputetëve, bashkë me kryetarë degësh të LDK-së, para dy muajsh kanë mbledhur nënshkrime për ta rrëzuar Abidxhikun nga pozita e kryetarit të partisë. Në kuvendin e mbajtur më 30 korrik, pak më shumë se gjysma e delegatëve të partisë e kanë mbështetur Abdixhikun dhe ai është rikonfirmuar si kryetar.