Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

725 Familien zahlen Steuern auf ihnen von der Gemeinde zugewiesene Grundstücke, können diese aber nicht nutzen.

725 Familien zahlen Steuern auf ihnen von der Gemeinde zugewiesene Grundstücke, können diese aber nicht nutzen.

Një vendim i Kuvendit Komunal të Drenasit, i para 18 vjetësh, ka prodhuar kontest pronësor që ende nuk është zgjidhur. Janë më shumë se 700 familje që u përkasin kategorive të dala nga lufta, e që me vendim kanë përfituar troje, por për të cilat ndonëse paguajnë tatim, ende nuk mund t’i shfrytëzojnë.

Misin Kluna është njëri prej 725 përfituesve të vendimit të marrë nga Komuna e Drenasit në vitin 2008, me të cilin u janë ndarë troje familjeve të dëshmorëve dhe pjesëtarëve të kategorive tjera të dala nga lufta.

Pronën, që ligjërisht është në menaxhim të Agjencisë së Privatizimit, ai e ka regjistruar në emër të tij dhe për të ka paguar tatim, por se deri tash nuk ka mundur ta shfrytëzojë.

“Ma kanë nda, por kurrfarë të drejte s’po na dhanë. Unë e kom pagu edhe në atë periudhë që e kam qitë në kadastër në emër temin. 81 euro e kam pagu taksën dhe e paguaj vjet për vjet tatimin pronë. S’po na lejohet kurrgjë e s’po di unë se çka me ba me këtë pronë”, ka treguar Kluna.

Njëjtë sikurse Kluna, pronat me nga 4 ari për familje, nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë as përfituesit e tjerë.

Këtë e konfirmon edhe Fatmir Kiqina, i cili është kryetar i degës në Drenas, të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“Po ka, personalisht kam pagu unë. Tash sivjet me ka ardhë diku... dikujt i lëshohet në certifikatë të pronës si tokë bujqësore e herë si tokë ndërtimore. Kemi rastin konkret të kolegut-sekretarit që është i shoqatës së veteranëve i ka ardhë në momentin që na e japin përgjigjen kryetari se është në komasacion jo AKP, atij i vjen fletëpagesa. Sivjet ia kanë caktuar 12 euro për me i pagu për atë pronë”, ka thënë Kiqina.

Ai thotë se do të ushtrohet padi ndaj pushtetit lokal.

“Do t’i drejtojmë lëndët në gjykatë dhe normal që do të kyçen edhe komisionet edhe njerëzit që të vërtetohet se kujt i është ndarë prona...”.

Por, ka një kontest prejse Komuna ka marrë vendimin. Prona ndodhet në Poklek të Ri dhe ishte në pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Drenica”, që pas lufte u administrua nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e më pas nga pasuesja e saj Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Komuna e Drenasit është mbështetur në një vendim të vitit 1997 dhe në rifuqizimin e planit gjeneral urbanistik pas luftës, për të pretenduar se kishte bazë ligjore për bartjen e së drejtës së shfrytëzimit të pronës.

Më 29 prill 2008, Komuna e përcaktoi si tokë ndërtimore dhe vendosi që aty të ndaheshin trojet. Më pas u hartua edhe plani rregullues për lagjen e dëshmorëve në një sipërfaqe prej 50 hektarësh.

Por, vite më vonë, në komunikimet që Komuna e Drenasit ka pasur me organizatat e dala nga lufta, theksohet se ndërtimi në këto parcela nuk është i lejuar.

“Në këto rrethana, drejtoria e urbanizmit nuk ka kompetencë dhe as bazë ligjore për lëshimin e lejes ndërtimore për parcelat në fjalë”, ka qenë arsyetimi i dhënë disa vite më parë nga Komuna.

Ngjashëm u përgjigj tash edhe drejtori i urbanizmit në këtë Komunë, Petrit Gashi kur u kontaktua nga KOHA.

Komuna ka kërkuar sqarim nga AKP-ja, nëse është e mundur blerja e pronës. Sipas autoriteteve lokale, është marrë përgjigje negative.

Por, në AKP thanë se Komuna është udhëzuar që të shfrytëzojë mundësitë ligjore për shpronësim.

“AKP ka pasur komunikim zyrtar me Komunën në lidhje me këtë pronë, të cilën e ka destinuar për lagje të dëshmorëve dhe e ka udhëzuar atë që të shfrytëzoj mundësitë ligjore që ofron Ligji për Shpronësim”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Edhe sikur të ndërrohej pronësia, në Komunën e Drenasit thanë se nuk do lejohej prapë ndërtimi për shkak se sipërfaqja ndodhet nën masën komosative, që nënkupton se ka statusin e tokës bujqësore.

Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta kërkuan që zyrtarët të përballen me ligjin, për këtë situatë të krijuar.

“Do të merren ata njerëz dhe sigurisht që unë jam i pajtimit se normal çdo kush që ka ba këso lojna duhet me dhanë përgjegjësi para gjykatës”, ka thënë Fatmir Kiqina, kryetar i Organizatës së Invalidëve të Luftës në Drenas.

Të 725 përfituesit kanë mbetur me troje që Komuna ua ndau për ndërtim, por që nuk mund t’i shfrytëzojnë. Ata shprehën pritjen që kontestit t’i japë zgjidhje gjykata.