Botërori 2018

“Messi s’është si Maradona – nuk mundet i vetëm të fitojë Botërorin”

Descriptive Text

Ish-sulmuesi i Argjentinës, Hernan Crespo, ka dalë në mbrojtje të Lionel Messit, duke thënë se atij i duhet ndihmë nga bashkëlojtarët për të fituar Kampionatin Botëror në Rusi.

Ylli i Barcelonës dështoi në ndeshjen hapëse të shtunën duke barazuar 1 me 1 me Islandën e duke humbur penaltinë.

Tani Crespo ka thënë se Messi nuk është si legjenda Diego Maradona për të çuar i vetëm një skuadër drejt titullit.

“Të fillojmë me një fakt. Messi e meritoi një pesëshe për paraqitjen e tij. Sigurisht, presim më shumë nga ai, por Messi s’është Maradona, nuk mundet i vetëm të fitojë një Kupë Bote”, ka thënë Crespo për “Gazzetta dello Sport”. “Kjo duhet të kuptohet nga argjentinasit, e më pas nga bashkëlojtarët e tij. Është fenomenal nëse i vijnë kushtet e mira, sikurse në Barcelonë. Përndryshe ai ngec. A i ndihmoi dikush ndaj Islandës? Angel Di Maria nuk arriti të kalonte asnjëherë kundërshtarët, mesfushorët nuk e përkrahën”.

Argjentina të enjten zhvillon ndeshjen e dytë, përballë Kroacisë.