Favoritët e Botërorit, sipas Dragushës

Favoritët e Botërorit, sipas Dragushës

14 qershor 2018 23:41

Analisti i futbollit, Muhamet Dragusha, ka thënë se Botërori “Rusia 2018” do të jetë më ndryshe nga të kaluarit sa i përket cilësisë së lojës e rivalitetit në fushë.

Në Interaktiv të KTV-së, Dragusha ka dhënë mendimin e tij për favoritët e secilit grup si dhe pretendentët për të triumfuar në fund.

Sipas tij në Grupin A, Rusia ka bërë hap të madh me fitoren e sotme 5 me 0 ndaj Arabisë Saudite, por e sheh Egjiptin si skuadër të fortë për këtë grup. Dragusha ka thënë se në Grupin B favoritë të pakontestueshëm janë Portugalia e Spanja, njëjtë siç e sheh edhe Francën në Grupin C. Te Grupi D, ka thënë se ky grup mund të cilësohet si “grupi i vdekjes” ku e sheh Argjentinën si favorit, e Islandën e Kroacinë si befasitë e mundshme të kampionatit. Në Grupin E, Dragusha ka thënë se Brazili është favorit i pakontestueshëm bashkë me Zvicrën, ndërsa “Serbia e Kostarika s’kanë gjasa”. Gjermania, sipas Dragushës, është favorit i Grupit F, bashkë me Suedinë. Te Grupi G ka dalluar Belgjikën dhe Anglinë, ndërsa në Grupin H Poloninë e Kolumbinë.

Dragusha ka thënë se Brazili, Franca, Spanja, Gjermania dhe Argjentina janë favoritët kryesorë për të triumfuar. E ka dalluar Brazilin të cilën kombëtare e sheh si favoriten kryesore për shkak të “superformës së treguar dhe liderit Neymar”.

Sa i përket teknologjisë VAR për rishikim të gabimeve të mundshme të gjyqtarëve, Dragusha ka thënë se kjo është e domosdoshme.

“E kemi pa në Evropian që gjyqtarët kanë gabuar shumë. Gabimi është njerëzor, por nëse veç vihet sistemi VAR ato gabimet e mëdha do të eliminohen. Nuk do të dëmtohet asnjëri ekip. Mendoj se është i domosdoshëm për momentin në futbollin botëror”, është shprehur ai.

Dragusha ka thënë se në ndeshjen hapëse të Botërorit, Rusia – Arabia Saudite ka parë lojë jo shumë cilësore dhe një Arabi tejet të dobët. Për ndeshjen e së premtes mes Portugalisë e Spanjës, ka favorizuar Spanjën për të cilën ka thënë se mund të ketë efekt negativ largimi i trajnerit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme