Botërori 2018

Pitana ndan drejtësinë në ndeshjen e parë të Botërorit

Argjentinasi Nestor Pitana do të jetë gjyqtari i ndeshjes së parë të Kupës së Botës 2018 mes Rusisë dhe Arabisë Saudite, e cila do të luhet më 14 qershor në “Luzhniki Stadium” në Moskë.

Ndihmësit e tij do të jenë Juan Pablo Bellati dhe Hernan Maidana, me brazilianin Sandro Ricci, si gjyqtar i katërt.

Në këtë Botëror do të futet edhe VAR (moviola në ndihmë të gjyqtarëve). Në ndeshjen e parë të “Rusi 2018” në regjinë e VAR do të ulen italianët Massimiliano Irrati dhe Daniele Orsato, argjentinasi Mauro Vigliano dhe kiliani Carlos Astroza.

Nestor Pitana do të bëhet argjentinasi i dytë që merr pjesë në dy Botërorë si gjyqtar, pas Norberto Coerezza, që gjykoi ndeshje në vitet 1970 dhe 1978.

Pitana është një nga gjyqtarët më me përvojë në amerikën-latine, gjykoi Francë-Gjermani, çerekfinalen e Kupës së Botës 2014. Ai drejtoi edhe gjysmëfinalen e Lojërave Olimpike në Rio, Gjermani-Nigeri si dhe gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave në vitin e kaluar, Gjermani-Meksikë.