Botërori 2018

Franca gjunjëzon “gjeneratën e artë” kroate për titullin e botës

Franca është Kampione e Botës në futboll pasi ka mposhtur “gjeneratën e artë” të Kroacisë me rezultat 4 me 2.

Përbërja e Kroacisë me liderin Luka Modriq, Ivan Rakitiq e Mario Manxhukiq konsiderohej si gjenerata e artë e futbollit kroat që prej vitit 1998 kur u mposhtën nga Franca në gjysmëfinale dhe në fund përfunduan në vendin e tretë të atij Botërori.

Sivjet, Franca me lojtarë të rinj u përkujdesën për një rezultat të lartë që filloi me autogolin e Manxhukiqit, pastaj gola realizuan edhe Griezmann, Pogba e Mbappe.

Për kroatët realizuan Ivan Perishiq dhe Manxhukiq.

Ky është titulli i dytë i botës për Francën pas të parit në vitin 1998.


Dy gola të shpejtë në finalen e Botërorit

Hugo Lloris është përkujdesur që të zgjojë nga gjumi Kroacinë pasi me një gabim amatoresk ia mundësoi Mario Manxhukiqit që të realizojë për rezultatin 4 me 2, vetëm pak minuta pasi realizoi Kylian Mbappe.


Franca i afrohet titullit të botës me golin e tretë

Paul Pogba ka realizuar golin e tretë për Francën në minutën e 59-të, për t’iu afruar edhe më shumë titullit të Kampionit të Botës.

Mesfushori francez me një goditje të fuqishme me këmbën e majtë realizoi golin për rezultatin 3 me 1.


Kroacia mendon për rikthimin në lojë, Franca ta ruajë rezultatin në pjesën e dytë

Kroacia duhet të mendojë për kthimin në lojë pas disavantazhit 2 me 1 nga Franca në pjesën e parë.

Nga mesi i fushës pjesën e dytë e nisi Franca që i duhet të ruajë këtë rezultat për të prekur trofeun e Kampionatit Botëror.


Franca shkon në pushim me epërsi

Pjesa e parë e finales së Botërorit ka përfunduar me epërsinë 2 me 1 të Francës kundër Kroacisë.

Franca kaloi e para në epërsi me autogolin e realizuar nga Mario Manxhukiq në minutën e 28.

Dhjetë minuta më vonë Ivan Perishiq ktheu në lojë Kroacinë me golin e realizuar, por i njëjti lojtar shkaktoi një penaltinë të cilën në minutën e 39 në gol e ktheu Antoine Griezmann.


Franca kthen epërsinë me ndihmën e VAR-it

Antoine Griezmann ka kthyer epërsinë e Francës ndaj Kroacisë me penaltinë e akorduar me ndihmën e VAR-it.

Ivan Perishiq që para disa minutave realizoi golin e barazimit, u shndërrua në figurën tragjike për Kroacinë pasi preku topin me dorë në zonë dhe gjyqtari kërkoi ndihmën e teknologjisë VAR për të akorduar penaltinë që në gol e shndërroi sulmuesi 27-vjeçar.


Kroacia kthehet në lojë me golin e Perishiqit

Ivan Perishiq me një goditje të fuqishme me këmbën e majtë, ka kthyer në lojë përfaqësuesen e tij, Kroacinë në finalen që po e zhvillon ndaj Francës.

Kur po zhvillohej minuta e 28 Demagoj Vida pasoi në drejtim të Perishiqit që me një lëvizje kaloi N’Golo Kanten dhe në hapin e radhës lansoi goditjen e pandalshme nga Lloris.


Franca në epërsi me autogolin e Manxhukiqit

Franca ka kaluar në epërsi ndaj Kroacisë me një autogol të realizuar nga Mario Manxhukiq.

Kur po zhvillohej minuta e 18 Antoine Griezmann harkoi nga gjuajtja e lirë dhe goditjen e tij me kokë në portë e devijoi sulmuesi shtatlartë kroat.


Iniciativë e lehtë e Kroacisë në finale

Kur kanë kaluar pesë minutat e parë të finales, Kroacia ka një iniciativë të lehtë ndaj Francës.

Kroatët me dy gjysmëraste tentuan të rrezikojnë portën e Hugo Lloris por mbrojtja franceze u tregua e vëmendshme për të bllokuar dy sulmet.


Nis finalja e Botërorit

Ka filluar finalja e Botërorit mes Francës dhe Kroacisë.

Francezët për herë të fundit kampionë botërorë ishin në vitin 1998 kur mposhtën Brazilin në finale derisa për Kroacinë kjo është finalja e parë në një Botëror.

Po në vitin 1998, Kroacia zuri vendin e tretë.