Botërori 2018

Subashiq shtrëngon dhëmbët për ndeshjen e jetës

Danijel Subashiq ishte personifikim i heroizmit në Sochi. Portieri i Kroacisë u fut në përballje çerekfinale të Kupës së Botës me një lëndim, që u përkeqësua gjatë ndeshjes çerekfinale ndaj Rusisë. Ai luajti me dhembje dhe refuzoi të ndërrohej.

Bëri një pritje spektakolare, duke i mohuar nikoqirit Rusisë një fitore në kohë të rregullt dhe më pas priti një penallti për të ndihmuar Kroacinë që të triumfojë ndaj nikoqires.

Kroacia u bë vetëm përfaqësuesja e dytë në histori të Kupës së Botës që fitoi dy ndeshje rresht në penallti, pas Argjentinës së vitit 1990. Ndërkohë Subashiq 33-vjeçar u bë vetëm portieri i tretë që priti katër penallti në një Kupë të Botës, duke barazuar rekordin e Harald Schumcherit dhe Sergio Goycocheas.

Pas ndeshjes ndaj Rusisë, ishte vënë në pikëpyetje paraqitja e tij në gjysmëfinale ndaj Anglisë, por vetë portieri nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Është ndeshja e jetës për të. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).