Botërori 2018

Duka: Shqiponja jonë nuk është simbol lufte, urrejtjeje a diskriminimi

Për të parin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, inicimi i procedurës hetimore ndaj Granit Xhakës e Xherdan Shaqiri e ka quajtur qesharake e primitive.

“Futbolli është një lojë që ka emocione të forta dhe të bukura. Në çdo ndeshje të Botërorit shikon mënyra të ndryshme të festimit të golave. Edhe Xhaka e Shaqiri festuan në mënyrën e tyre golat e shënuar”, ka shkruar Duka në profilin e tij në Facebook.

Ai ka shtuar tutje se simboli i Shqiponjës nuk është aspak një simbol i ndaluar në asnjë vend të botës.

“Nuk është simbol lufte, urrejtjeje dhe diskriminimi. Kërkesa për investigim në FIFA për mënyrën e festimit të Xhakës dhe Shaqirit është, sa qesharake aq edhe primitive. Simboli i Shqiponjës në Flamurin tonë kombëtar nuk ka pse të shqetësojë askënd”, ka shkruar Duka.