Botërori 2018

Greiçevci: S’është provokim festimi me shqiponjë, por thirrjet anti-shqiptare e fotoja e Mladiqit

Ambasadori i Kosovës në Britani, Lirim Greiçevci për Telegraph Sport ka mohuar se festa e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit kishte tone nacionaliste, duke theksuar se nuk kishte asnjë provokim nga dyshja shqiptare e kombëtares së Zvicrës.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, e madje ehe kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner janë duke u hetuar nga FIFA për festën me shqiponjë që bënë pas fitores ndaj Serbisë në Botërorin “Rusia 2018”.

“Nuk është flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’, por është flamuri i Shqipërisë. Flamuri i Shqipërisë përdoret edhe nga minoritetet shqiptare në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni. Ashtu si Britania që ka flamurin e Unionit, Kryqin e ST George, dhe ai skocez. Gjithashtu do të argumentoja se kjo nuk duhet të jetë provokim për serbët, për shkak se edhe ata përdorin simbolin e njëjtë – shqiponjën me dy kokë, nëse e shikoni flamurin e tyre”, ka deklaruar Greiçevci.

Më tutje Greiçevci iu ka kujtuar se si provokim duhet të merren fyerjet e tifozëve serbë e rusë me slogane anti-shqiptare, si dhe me foton e kriminelit Ratko Mladiq, transmeton Koha.net.

“Provokim janë thirrjet dhe sloganet e tifozëve serbë e rusë kundër shqiptarëve, ato si ‘vrite, vrite, vrite shqiptarin’ dhe e shfaqën kriminelin e luftës Ratko Mladiq me disa fotografi”, është shprehur ai për Telegraph.

Image

Sipas ambasadorit të Kosovës në Britani ankesat e serbëve janë krejtësisht për shkak të humbjes që pësuan nga dy futbollistë me prejardhje shqiptare.

“Kjo është në kufi me racizmin. Kur është bërë krim me e shfaq identitetin tënd duke festuar diçka aq të jashtëzakonshme si shënimi në Kupën e Botës?”, është shprehur ai.

Përveç lojtarëve të kombëtares së Zvicrës, kujtojmë se FIFA ka hapur procedurë disiplinore edhe kundër kreut të Federatës së Futbollit të Serbisë, Slavisa Kokeza, dhe trajnerit të kombëtares serbe, Mladen Krstajiq, për komentet që i kanë bërë pas përfundimit të ndeshjes.