Botërori 2018

Tensionohet situata tek Argjentina, lojtarët duan shkarkimin e Sampaolit

Një situatë kaotike ka mbërthyer kombëtaren e Argjentinës, në këtë Botëror të Rusisë.

Një klan lojtarësh të Argjentinës i kanë kërkuar zyrtarisht Federatës që të shkarkojë trajnerin Jorge Sampaoli para ndeshjes së fundit ndaj Nigerisë, por kjo e fundit e ka refuzuar këtë kërkesë.

Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia, fillimisht ka qenë i lëkundur, por pas një takimi me vetë trajnerin ka vendosur ta konfirmojë në detyrë Sampaoli, duke sjellë përçarjen mes trajnerit e Federatës nga njëra anë dhe lojtarëve nga ana tjetër, transmeton KP.

Një situatë aspak e këndshme, ndërkohë që eliminimi nga Botërori, pas një humbje e një barazimi, është në derë.

Grupi i futbollistëve nuk ka aspak besim te trajneri dhe lojtarët kanë zhvilluar një takim mes tyre. Pas refuzimit të kërkesës së tyre për të shkarkuar Sampaolin, ata kanë kërkuar që trajneri të qëndrojë i ulur në një cep në stol dhe t’i marrin vetë vendimet: formacionin, stërvitjen etj., dhe të mos ndjekin më këshillat e trajnerit.