Botërori 2018

Shqiptarët në ethe për ndeshjen Zvicër – Serbi, entuziazëm në Zhegrën e Shaqirit

Ndeshja e sotme Zvicër -Serbi në kuadër të Botërorit 2018, ka ngjallur diskutime e emocione të shumta te kosovarët.

Përballjen mes këtyre dy shteteve, e cila do të nisë nga ora 20:00, po e presin me padurim, pasi që përfaqësuesja e Zvicrës do të luajë në fushën e gjelbër me katër lojtarë shqiptarë kundër Serbisë, raporton KTV.

Më të entuziazmuar janë bashkëvendësit e Xherdan Shaqirit nga Zhegra.

Këtë përkrahje ndaj përfaqësueses zvicerane haptazi po e shprehin edhe për faktin se shumica e banorëve të kësaj ane jetojnë në këtë shtet.

Disa kanë vendosur që ndeshjen ta shikojnë në ambiente të jashtme e disa në shtëpitë e tyre.

Prindërit e Xherdan Shaqirit këto ditë po qëndrojnë vendlindjen e tyre në Zhegër, prej nga edhe do ta përcjellin ndeshjen.

Babai i Shaqirit, Hyseni, thotë se i biri i tij sonte është në formë të mirë derisa pret fitore bindëse kundër Serbisë.

Ndërkaq, në qendër të Gjilanit, atmosfera po planifikohet të mbahet në sheshin e këtij qyteti.

Aty është planifikuar që në një projektor gjilanasit ta ndjekin këtë ndeshje.

Në formacionin e zviceranëve pritet të luajnë përsëri katërshja e shqiptarëve në mesfushë, Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e Blerim Xhemaili.