Botë

Arrestohet malazezi në Tiranë, i dyshuar për vrasjen e shtetases ruse

Policia e Tiranës, gjatë një operacioni bazuar në informacionet e Policisë së Malit të Zi, ka bërë të mundur kapjen në Tiranë të një shtetasi malazez të dyshuar për vrasje.

Shtetasi Arsenije Stanoviq, 22 vjeç nga Mali i Zi kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri.

Falë bashkëpunimit të ngushtë me Policinë malazeze dhe shkëmbimit në kohë të informacionit, u bë i mundur identifikimi i vendodhjes si dhe kapja e tij, raporton Koha.net.

Shtetasi A.S., dyshohet se ka vrarë një shtetase ruse në Malin e Zi, me emrin Anastasia Lashmanova (30 vjeçe).

Nga ana e Policisë së Shtetit u bë deportimi për në Malin e Zi i shtetasit A.S., i cili është marrë në dorëzim nga shërbimet e Policisë malazeze.

Ndërkaq, sipas mediave malazeze, me të në automjet ishte edhe babai i tij, Zorani, shef i suspenduar i policisë kufitare në Aerportin e Tivatit.

Mediat atje raportojnë se Zorani e kishte ndihmuar të birin e tij të ikte nga Mali i Zi në Kosovë. Nga atje kishte shkuar më pas në Shqipëri, ku edhe është arrestuar.

Arsenije Stanoviq ishte në kërkim nga policia e shtetit malazez që nga 13 maji, kur edhe ishte gjetur trupi i pajetë i Lashmanovas në banesën e saj në Kotor.