Mediat greke: Zaev-Tsipras bien dakord për emrin “Maqedonia e Veriut” Foto: Ilustrim

Mediat greke: Zaev-Tsipras bien dakord për emrin “Maqedonia e Veriut”

12 qershor 2018 10:48

Republika e Maqedonisë së Veriut është emri për të cilin kanë rënë dakord kryeministri Zoran Zaev dhe homologu i tij grek Aleksis Tsipras, ndërkohë që marrëveshja midis dy vendeve do të nënshkruhet gjatë fundjavës, me siguri të shtunën, në Prespë, në territorin grek, bëjnë të ditur mediat greke.

Megjithatë, gjithçka do të bëhet e qartë sot pas bisedës telefonike midis dy kryeministrave, që sipas medias greke, thonë se është shumë e rëndësishme dhe e sigurt se do të gjendet një zgjidhje, raporton Tv21 i Maqedonisë.

“Çështja e Shkupit: një hap para marrëveshjes!,

“Sot përfundon çështja e Shkupit”,

“Sot biseda e rëndësishme telefonike”,

“Maqedonia e Veriut, emri i dakorduar”,

janë një pjesë e shkrimeve në mediat greke, në prag të bisedës së sotme të re telefonike.

Mediat greke sot i transmetojnë edhe mesazhet që dje i dërguan si kryeministri i Maqedonisë përmes intervistës për “Telmën” kështu edhe shefi i diplomacisë greke përmes televizionit “Kontra” dhe optimizmit që e shprehu edhe Zoran Zaev edhe Nikos Kotzias.

Lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes, për shkak të agjendës të ngjeshur të dy kryeministrave dhe shefave të diplomacive në ditët në vijim, media greke komenton se gjatë fundjavës ka mundësi që Zaev dhe Tsipras, të takohen në Prespë, në territorin e Greqisë dhe të zyrtarizojnë atë që sot do të bisedohet në telefon.

Ndërkaq, Ministri grek për Punë të Jashtme, Nikos Kotzias, tha mbrëmë në një intervistë për televizionin grek “Kontra” se me bisedën telefonike mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë është marrë hap vendimtar.

Gjithashtu ai vuri në dukje se Greqia do të japë dritën jeshile në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së më 25 qershor, ndërsa nëse shkon sipas planit, NATO do të paraqesë një ftesë për anëtarësim të Maqedonisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme