Botë

Austria e ka në plan të mbyllë xhami e do të dëbojë imamë

Qeveria e djathtë austriake njoftoi sot se ka në plan të mbyllë shtatë xhami dhe të dëbojë të paktën 40 imamë dhe familjet e tyre, si pjesë e një goditjeje ndaj “islamit politik” dhe financimit të huaj të grupeve fetare.

Ministri i Brendshëm Herbert Kickl i Partisë së Lirisë që përfaqëson të djathtën ekstreme, një nga partitë e qeverisë së koalicionit qeverisës, tha se lejet e qëndrimit për imamët e punësuar nga ATIB, një grup që mbikqyr xhamitë turke në Austri, po shqyrtohen, për shkak të shqetësimeve rreth financimit të tyre.

Në dy raste, lejet janë revokuar dhe së fundmi pesë imamëve u janë mohuar lejet e punës, ndërsa aplikonin për herë të parë, tha zoti Kickl.

Kancelari Sebastian Kurz tha se qeveria po mbyll një xhami turke që përhapte pikëpamje nacionaliste në Vjenë dhe po shpërndan një grup të quajtur Bashkësia Fetare Arabe që drejton gjashtë xhami.

Turqia e denoncoi këtë veprim si "anti-islam" dhe "racist".

"Vendimi i Austrisë për mbylljen e shtatë xhamive dhe deportimin e imamëve me një justifikim të çalë është një reflektim i valës populiste anti-islame, raciste dhe diskriminuese në këtë vend", tha zëdhënësi i presidentit turk Ibrahim Kalin në një postim në Twitter.

31-vjeçari konservator Sebastian Kurz u zgjodh kryeministër në dhjetor në një koalicion me partinë anti-emigrantëve, atë të Lirisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, të dyja partitë kërkuan kontrolle më të ashpra ndaj emigrantëve, deportimin e shpejtë të azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve mohohen dhe një goditje ndaj islamit radikal.