Botë

SHBA dhe Koreja e Veriut rinisin bisedimet për samitin

Rikthehen bisedimet për një samit mes liderëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë së Veriut. Delegacionet e të dy vendeve kanë zhvilluar sërish bisedime për të përgatitur një takim të mundshëm.

Një ekip i SHBA-ve po zhvillon bisedime me zyrtarët e Koresë së Veriut për të përgatitur një takim të mundshëm midis presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, transmeton abcnews.

Bisedimet në fshatin Panmunjom, në zonën e çmilitarizuar midis dy Koreve, janë shenjat e fundit që samiti mund të ndodhë. Të enjten, Presidenti Trump bëri thirrje për anullimin e takimit që do të zhvillohej në Singapor muajin e ardhshëm pas deklaratave të Veriut, që siç i quajti Trump ishin një gjuhë armiqësore. Por të dyja palët që nga ajo kohë po punojnë për ta rikthyer dialogun në rrugë të mbarë.

Të shtunën, Kim Jong-un foli për “vullnetin e tij të fiksuar” që samiti duhet të vazhdojë, ndërsa Trump tha se gjërat ishin “duke ecur shumë mirë”.

Vizita e delegacionit amerikan u raportua për herë të parë nga Washington Post. Ekipi udhëhiqej nga Sung Kim, një ish-ambasador në Korenë e Jugut, i cili do të zhvillonte bisedime me zëvendësministrin e Jashtëm të Koresë së Veriut, tha gazeta. Departamenti i shtetit konfirmoi se të dy palët u takuan në kufi.

Zëdhënësja e departamentit të Shtetit, Hether Noert, tha se po vazhdojnë të përgatiten për një takim midis Presidentit dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.

CNN tha se diskutimet ishin të përqendruara në thelbin e takimit, ndërkohë që një ekip i veçantë i SHBA në Singapor merrej me logjistikën.

Takimi do të ishte kulmi i përpjekjeve diplomatike që filluan këtë vit për të zbutur atë që kishte kërcënuar të bëhet një konfrontim ushtarak midis Veriut dhe Jugut të armatosur bërthamor komunist.