Botë

Hungaria vendi i tetë më tërheqës në botë për investime

Descriptive Text

Hungaria është vendi i tetë më tërheqës në botë për të investuar, sipas një renditje të botuar të mërkurën e kaluar nga revista prestigjioze amerikane “Site Selection”, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó.

Me ekonominë e saj të vogël, Hungaria e ka të domosdoshme të marrë pjesë në “luftën e ashpër ndërkombëtare” për investime, në qoftë se ajo do të ruajë dinamikën e krijimit të vendeve të punës, ka thënë Szijjártó, transmeton televizioni publik.

“Përfshirja e vendit tonë brenda dhjetëshes së vendeve më tërheqëse në botë në fushën e investimeve, është padyshim një vlerësim i rëndësishëm, duke qenë se ajo mund të ndikojë, duke rritur numrin e investitorëve, shtoi ai.

Në një renditje globale të projekteve të investimeve sipas vendit, të botuar nga revista amerikane Site Selection, e cila e përshkruan veten si një botim ndërkombëtar në fushën e biznesit që mbulon pasuritë e patundshme të korporatave dhe zhvillimin ekonomik, Hungaria u rendit e teta me 74 projekte. Kina dhe Gjermania kryesuan listën, respektivisht me 777 dhe 455 projekte. Ndër vendet e tjera të rajonit, Polonia ishte në vendin e pestë, me 140 projekte, dhe Rumania në të dhjetin, me 70 projekte.

Ndërsa në një renditje tjetër të bërë sërish nga Site Selection ku u përfshinë vendet e Europës Lindore dhe ato të Azisë Qendrore, Hungaria u rendit në vendin e parë, me numrin më të madh të investimeve dhe të projekteve të ardhshme. Përveç kësaj, Agjencia hungareze për Promovimin e Investimeve (HIPA), e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, u vlerësua agjencia kryesore e promovimit të investimeve në rajon.

Sipas një njoftimi për shtyp dërguar gazetës hungareze të biznesit, Budapest Business Journal, çmimi u bazua në rezultatet e saj në promovimin e Investimeve të Huaja Direkte, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e shërbimeve të ofruara për klientët, ekspertizën, aftësitë gjuhësore, qëndrimin miqësor të punonjësve vendas ndaj turistëve dhe reagimet pozitive të investitorëve të huaj, të cilët kanë investuar në Hungari.

Ceremonia zyrtare e dhënies së çmimeve do të mbahet në eventin e Forumit Botëror për IHD në qershor të këtij viti në Liverpool.