Botë

Kapet droga në SHBA e cila mund t'i vriste miliona njerëz

Thuajse 54 kilogramë fentanil, një qetësues i fuqishëm sintetik, u sekuestruan nga policia amerikane në Nebraska, një nga sasitë më të mëdha të kapura në historinë amerikane.

Shifra nuk duket bindëse për një rekord të tillë, por nëse llogarisim se fentanili është 50 herë më i fuqishëm sesa heroina, gjithçka bëhet e qartë. Sipas autoriteteve amerikane, kjo sasi e kësaj droge sintetike mund të vrasë 26 milionë njerëz.

Droga u gjet gjatë një kontrolli rutinë në automjetin e dy individëve që tashmë kanë rënë në pranga. Policia e Nebraksës tha se gjeti 42 pako me letër alumini në makinë dhe fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një përzierje të thjeshtë narkotikësh me kokainë.

Por, kur analizat treguan se bëhej fjalë për fentanil, atëherë u kuptua rëndësia e ndalimit të tij.

Fentanili është një drogë sintetike që në pamje duket si pluhur i bardhë, i ngjashëm në përmasa me kokrrizat e kripës. Vetëm 2 miligramë fentanil mjaftojnë për të vrarë një person.

Një nga viktimat më të famshme të kësaj droge ishte këngëtari Prince, i cili vdiq si pasojë e një mbidoze. Fentanili përdoret nga spitalet si qetësues apo për anestezi, por fitimi i lartë që i sjell trafikantëve e ka bërë faktor kryesor në krizën e drogës kudo në botë.