Botë

Conte nis negociatat për ekzekutivin e ri të Italisë

Lëvizja 5 Yjet dhe Lega e kanë pagëzuar me fillimin e “Republikës së Tretë”, ditën e sotme, ku kryeministri i propozuar Giuseppe Conte ka nisur negociatat për krijimin e qeverisë. Por Forza Italia e Berlusconit dhe Partia Demokratike premtojnë opozitë të pastër dhe votë kundër ndaj qeverisë së re.

Mesditën e së enjtes nisën në Itali negociatat e para të kryeministrit të mandatuar Giuseppe Conte. Presidenti i Republikës Matarella i dha të mërkurën mandatin për krijimin e qeverisë dhe Conte pranoi duke këmbëngulur në qëndrimin europian të Italisë dhe duke premtuar se do të jetë avokati i italianëve.

E ndërsa lideri i Legës, Salvini, e komenton si një qeveri shpresëdhënëse për vendin, duke kritikuar Bashkimin Europian se po kërcënon, Forza Italia, deri para pak kohësh në koalicion si pjesë e qendrës së djathtë deklaron se nuk do të mbështesë një qeveri të projektuar mbi Lëvizjen 5 Yjet. Një qeveri e ekstremit të djathtë sipas Forza Italia, dhe që ka një program të ekstremit të djathtë.

Por dhe lideri i Lëvizjes 5 Yjet shprehet optimist duke konfirmuar se ka rënë dakord për çdo gjë me Salvinin dhe se emri i zgjedhur prej tyre si kryeministër ka mbështetjen e plotë të partisë së tij. Di Maio shtoi se po vijon puna për gjetjen e profileve sa më të mirë të cilët do të ndryshojnë vendin.

Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu se do të bëjë një opozitë të fortë ndaj kësaj qeverie që pritet të krijohet, dhe sipas ish-kryeministrit dhe ish0liderit të partisë Matteo Renzi, nëse Conte ka premtuar se do të jetë avokat i popullit italian, atëherë demokratët do të përfaqësojnë palën e dëmtuar dhe do të bëjnë një opozitë civile.