Botë

Giuseppe Conte, kryeministri i ri i mundshëm i Italisë që s’e njeh askush

Lëvizja Pesë Yje dhe Liga i kanë propozuar sot presidentit të Italisë emrin e Giuseppe Conte për kreun e qeverisë së koalicionit.

Udhëheqësit e dy partive më të mëdha në Parlament, Luigi Di Majo dhe Mateo Salvini, thanë pas bisedimeve me presidentin italian Sergio Matarl, se kanë vendosur që Conte të propozohet për të drejtuar qeverinë e vendit, duke i dhënë fund periudhës së pasigurisë politike në vend.

Por, nëse s’keni dëgjuar asnjëherë për Conten, atëherë nuk jeni i vetëm. As shumica e italianëve s’kanë dëgjuar për të.

Profesor i drejtësisë në Universitetin e Firences pa përvojë politike, Conte është propozuar nga Lëvizja Pesë Yje dhe Liga e së djathtës ekstreme për të drejtuar qeverinë me shpenzime të mëdha, raporton Reuters.

“Kush ka dëgjuar për të?”, thotë Carlo Arrighi, një prodhues i akulloreve në qendër të Romës. “Do të kishte qenë më mirë sikur të zgjidhnin dikë që është zgjedhur”.

Me gjithë propozimin, presidenti italian, Sergio Mattarella, nuk është i obliguar të pranojë kërkesën dhe mund të kërkojë kandidat tjetër.

Conte është i afërt me 5 Yjet dhe ka qenë një prej njerëzve të propozuar nga partia për zgjedhjet e 4 marsit, kur ai u zotua se do të thjeshtojë burokracinë labirintane të Italisë.

“Fillimisht duhet të shfuqizojmë në mënyrë drastike ligjet e panevojshme”, ka thënë Conte, transmeton Koha.net.

Kjo ishte edhe hera e parë që Conte, 54 vjeç, u shfaq para publikut, edhe pse është në bordin e disa organeve akademike e gjyqësore dhe ka marrë pjesë në konferenca mbi çështjet juridike nga 5 Yjet.