Botë

Greqia s’e pranon emrin e ri të Maqedonisë

Qeveria greke ka refuzuar propozimin e ofruar nga Shkupi për të adoptuar emrin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” si zgjidhje kompromisi për mosmarrëveshjen disavjeçare.

Pas një raundi bisedimesh të shtunën me presidentin dhe liderët e partive opozitare në vend, kryeministri grek Alexis Tsipras u ka dhënë fund spekulimeve se do të arrihet një marrëveshje për këtë emër.

Disa komentues grekë thonë se kjo mund të ketë nxitur Zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence të thërrasë Tsiprasin dhe të kërkojë zgjidhje për mosmarrëveshjen.

Në një deklaratë të shtunën mbrëma, zyra e Tsiprasit tha se Greqia “do të vazhdojë të punojë me FYROM-in për të gjetur një emër të përbërë të pranueshëm nga të gjithë me përmendje gjeografike apo kohore dhe kundër të gjithëve (erga omnes)”, raporton “Greekreporter”.

Deklarata thoshte se një zgjidhje, që do të përfshinte ndryshimin e kushtetutës së FYROM-it që do të fshinte ambiciet territoriale ndaj Greqisë, “duhet të bazohet në pakon e propozimeve të ofruara nga i dërguari special i OKB-së, Matthew Nimetz”, transmeton Koha.net.

Nimetz më herët kishte propozuar disa emra. Ata janë: Republika Nova Makedonija (Republika e Maqedonisë së Re), Republika Severna Makedonija (Republika e Maqedonisë Veriore), Republika Gorna Makedonija (Republika e Maqedonisë së Epërme), Republika Vardarska Makedonija (Republika e Maqedonisë së Vardarit) dhe Republika Makedonija (Skopje) [Republika e Maqedonisë (Shkup)].

Duke folur në një konferencë për media të shtunën, Tsipras tha se “jemi në një pikë kruciale të negociatave, ne mbrojmë linjën kombëtare me hapa të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm”.