Forcat afgane rimarrin qytetin Farah, vriten 198 talebanë

Forcat afgane rimarrin qytetin Farah, vriten 198 talebanë

16 maj 2018 11:42

Forcat afgane të sigurisë njoftuan se kanë larguar talebanët nga qyteti perëndimor Farah, i cili kufizohet me Iranin, pas një dite rrethimi të kryengritësve dhe përleshjeve vdekjeprurëse.

Të martën, talebanët arritën të hyjnë në qytetin Farah, duke kapërcyer disa pika kontrolli sigurie.

“Në këto përplasje (të martën dhe të mërkurën), 198 talebanë janë vrarë dhe qindra janë plagosur. Aktualisht, operacionet e pastrimit janë duke u zhvilluar intensivisht”, tha ministria e Mbrojtjes, duke shtuar se rebelët janë larguar nga qyteti.

Ministria e Mbrojtjes tha se talebanët kanë përdorur civilët si mburoja të gjalla për të ngadalësuar ritmin e forcave afgane të sigurisë.

Sipas televizionit lokal Tolo News, hyrja në Farah ishte arritje e madhe për talebanët, të cilët kanë kryer mbi 2.700 sulme gjatë 19 ditëve të fundit që nga fillimi i ofensivës së tyre verore.

Misioni Mbështetja e Vendosur e udhëhequr nga NATO mbështeti deklaratën e qeverisë se Farah është nën kontrollin qeveritar.

Ndërkohë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahed, ka shkruar se Farah mbetet nën kontrollin e tyre, duke shtuar se ata kanë vrarë 32 forca të sigurisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme