Botë

Ambasada e Maqedonisë në SHBA në gjendje të rëndë

Bari i parregulluar, saksi e zbrazur dhe e hedhur në oborr, dru i tharë. Ky është imazhi i ambasadës së Maqedonisë në Uashington, shkruajnë mediat e Shkupit. Edhe pse ambasada e Maqedonisë gjendet në pjesën e qytetit ku ka shumë ambasada dhe rezidenca, ajo është lënë pasdore. Ish-ambasadorja e Maqedonisë në Tiranë, Eleonora Karanfillovska Ratklif, e cila jeton në selinë e SHBA-ve tashmë disa vjet me radhë, tha se gjendja e oborrit të ambasadës sonë është pasqyrë e gjendjes së shtetit tonë. Fqinjët paraprakisht kanë reaguar, tha Karanfillovska Ratklif.

“Një herë nga asociacioni i fqinjëve janë ankuar për gjendjen e godinës së ambasadës së Maqedonisë pas blerjes dhe para se të rindërtohet. Ky skandal shpërtheu në atë kohë nëpër mediat amerikane. Po pyes veten se kur fqinjët do të ankohen përsëri.”, tha ajo.

Ky nuk është rast i vetëm që ka të bëjë me ambasadën e Maqedonisë në Uashington. Sjelljen e ambasadorit Vasko Naumovski, autoritetet e Maqedonisë e kuptuan në mënyrë serioze, andaj ai do të thirret në bisedë për të shpjeguar se pse nuk e ka shoqëruar ministren e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska gjatë vizitës së saj në SHBA. Ai do të duhet të përgjigjet se pse jep deklarata të lidhura me çështjen e emrit, që dalin nga kornizat e marrëveshjes, tha kryeministri Zaev.

“Ai ishte këtu dhe i kemi zbatuar sugjerimet. Ne, në fakt u pajtuam për qasjen strategjike të vendit tonë, secili e përfaqëson në nivel të ndryshëm. Për një gjë patjetër u pajtuam, duhet të kemi kujdes. Nuk mund të jemi divergjentë dhe me qëndrime të kundërta në deklaratat në qoftë se kjo gjë e shkatërron të gjithë procesin”, u shpreh Zaev.

Qeveria dhe MPJ-ja dje zbardhën edhe një rast të lidhur me garniturën paraprake, për të cilin pohojnë se janë shpenzuar shumë para për objekte në vendet e huaja të cilët i ka blerë shteti. Ata ishin të dedikuar për zyra përfaqësuese por një pjesë prej tyre kanë qenë në gjendje shumë të keqe, siç ishte ambasada në Budapest , ndërsa ajo në Pragë duhet të rrënohej. Njëri nga objektet më të shtrenjta që i ka blerë Maqedonia, është objekti në Vjenë.

“Vlera e objektit më të volitshëm është 3,5 milionë euro me provizion për agjencinë prej 105 mijë eurove dhe rikonstruim që kushtoi madje 1,4 milionë euro. Nga kontrolli i bërë në dokumentet, ka tregues se shitësi i objektit para një viti për të njëjtin objekt ka paguar 1 milion dhe 460 mijë euro”, tha Dimovski.

VMRO-DPMNE si partia e pushtetit të kaluar, u përgjigj se akuzat e këtilla të MPJ-së janë qesharake dhe të pasuksesshme, dhe janë edhe një provë shtesë për keqpërdorim të institucioneve për qëllime partiake. Deshëm të marrim përgjigje nga ish-shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki, por nuk arritëm ta kontaktojmë.