Botë

Johnson e cilëson ide të çmendur bashkimin doganor postBrexit me BE-në

Kreu i diplomacisë britanike, Boris Johnson e cilësoi sot “të çmendur” një projekt për bashkimin doganor për periudhën postBrexit, i mbështetuar nga ana e kryministres britanike, Theresa May duke shfaqur hapur ndasitë e qeverisë konservatore në lidhje me marrëdhëniet e ardhshme me BE-në.

Sipas këtij plani të bashkimit të ri doganor, Britania e Madhe do të mbledhë taksat doganore në emër të BE-së për mallrat që kalojnë tranzit nga territori i saj, por që kanë si destinacion tregun e të 27-ëve si dhe duke zbatuar taksat e saj për ato mallra që janë të destinuara për vendin.

Edhe pse ky propozim u hodh poshtë javën e kaluar nga shumica e ministrave anëtarë të “kabinetit të luftës për Brexit”, si dhe nga personalitetet kryesorë me peshë të qeverisë, vijon të jetë ende mbi tryezë, sipas Downing Street.

Por, sipas Johnson, “kjo zgjidhje tërësisht e panjohur do të rrezikonte të krijonte një kthesë burokratike dhe do ta bënte shumë, shumë të vështirë finalizimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë me shtete të tjera”, siç Londra aspiron të bëjë pas largimit nga BE-ja.