Botë

Aty ku më 1953 u nënshkrua paqja nesër takohen liderët e të dy Koreve

Të premten presidenti koreanojugor dhe ai koreanoverior do të takohen, në atë që cilësohet si samiti i parë që nga viti 2007 mes liderëve të dy koreve. Tema kryesore e bisedimeve do të jetë çarmatimi bërthamor.

Samiti i tretë mes liderëve të dy Koreve, i pari në program që nga viti 2007, do të mbahet nesër, të premten. Numri një i Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të kalojë kufirin për t’u takuar me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae – in, në fshatin Panmunjeom, ku u firmos dhe armëpushimi në vitin 1953, i cili i dha fund luftës së Koresë. Lajmi është konfirmuar nga zyra presidenciale në Seul.

Programi i samitit parashikon përcaktimin e pikave të ndryshme me një vëmendje të veçantë tek ajo që është dhe tema më delikate dhe e diskutuar. Çarmatimi bërthamor i gadishullit. Ministri i Jashtëm koreanojugor u shpreh se ky do të jetë rasti për të verifikuar vullnetin e Penianit për programin bërthamor dhe palët do të mund të flasin për çështjen shumë hapur.

Por përveç çështjes bërthamore dhe paqes, një tjetër temë e rëndësishme do të jetë dhe përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe në baza të qëndrueshme.

Duke iu përgjigjur pyetjes rreth një dështimi të mundshëm të këtij samiti, ministri koreanojugor u përgjigj se Kim Jong-un është i vetëdijshëm se deklaratat e tij të fundit për zhvillimin ekonomik të vendit duhet të përballen me faktin se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë nëse vendi është nën presionin e sanksioneve.