Inspektorët ndërkombëtarë kanë hyrë në Duma të Sirisë Foto: Ilustrim

Inspektorët ndërkombëtarë kanë hyrë në Duma të Sirisë

17 prill 2018 20:15

Inspektorët ndërkombëtarë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike hynë të martën në qytetin Duma të Sirisë, ku një sulm i dyshuar kimik vrau të paktën 40 persona në fillim të muajit. Shtetet e Bashkuara dhe Franca patën shprehur shqetësim se në Duma mund të jenë bërë falsifikime.

Hetuesit e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike mbërritën në Siri në shtunën, ditën kur Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca qëlluan me raketa objekte të armëve kimike në Siri. Por inspektorët fillimisht nuk ishin lejuar të hynin në Duma, pranë kryeqytetit sirian Damask, në përpjekje për të verifikuar natyrën e sulmit të dyshuar me gaz më 7 prill.

Të martën, pasi kanë kaluar 10 ditë nga sulmet, Ministria e Jashtme e Francës tha se “ka shumë mundësi të jenë zhdukur fakte dhe elementë të rëndësishëm në Dumën, që është tërësisht nën kontrollin e ushtrive ruse dhe siriane”, raporton VOA.

I dërguari amerikan në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike, Ken Ward, tha dje se ai ishte në dijeni, që përfaqësues të Rusisë e kanë vizituar Dumën dhe ngriti shqetësime për ndërhyrjen e tyre, para se inspektorët e Organizatës të kryejnë misionin e tyre faktmbledhës. Moska e hodhi poshtë këtë akuzë.

Pak pas sulmeve ajrore të së shtunës, Presidenti amerikan Donald Trump tha se “Misioni ishte kryer” dhe falënderoi Francën dhe Britaninë për maturinë dhe aftësinë e tyre ushtarake.

Por të martën Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një qëndrim më të ndryshëm.

“Tre vende ndërhynë dhe dua të tregohem i ndershëm, - sulmet ishin në nder të komunitetit ndërkombëtar. Sulmet nuk është e thënë që të zgjidhin gjë, por mendoj se ato ishin të rëndësishme”, tha ai në qytetin francez të Strasburgut.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka akuzuar Rusinë se është përpjekur t’i bllokojë inspektorët që të zhvillojnë hetime për sulmin vdekjeprurës në Duma, pranë kryeqytetit Damask, “duke e bërë më të komplikuar” punën për specialistët.

Rusia ka fajësuar për vonesat në hyrjen e inspektorëve, sulmet ajrore të së shtunës nga Shtetet e Bashskuara, Franca dhe Britania, ndaj tre objekteve për armë kimike të Sirisë. Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov, tha gjithashtu se misioni i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike nuk u lejua të hynte, për shkak se nuk kishte marrë miratimin e Departamentit për Sigurinë të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët e OKB-së në Nju Jork e hodhën poshtë këtë pretendim.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i mohoi akuzat dhe tha në një intervistë për BBC-në, se ai jep garanci që Rusia “nuk ka ndërhyrë në vendin ku thuhet se është kryer sulmi kimik”. Ai tha se faktet e cituara nga SHBA, Britania dhe Franca si shkak për të filluar sulmin me raketa ishin bazuar tek mediat sociale dhe media. Ai mohoi të ketë patur sulm me armë kimike, duke e akuzuar Britaninë për inskenimin e sulmit.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre fajësojnë regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad për sulmin vdekjeprurës me armë kimike.

Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert, tha në një intervistë për televizionin Alhurra se Shtetet e Bashkura po kërkojnë që të ketë rifokusim tek i ashtuquajturi proces i Gjenevës, që Kombet e Bashkuara e filluan në vitin 2012, si një udhërrëfyes për t’i dhënë fund konfliktit në Siri me një kushtetutë dhe zgjedhje të reja.

Edhe Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, bëri thirrje për një zgjidhje të ngjashme, duke thënë se për Sirinë është e nevojshme të rifillojë një proces paqeje nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme