Botë

Putini ka uruar Gjukanoviqin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka uruar Millo Gjukanoviqin për zgjedhjen e tij si President i ri i Malit të Zi.

Siç thuhet në kumtesën e partisë së Gjukanoviqit, urimi i Putinit për shefin e ri të shtetit është i pari nga një prej vendeve më me ndikim në botë.

“I nderuar Gjukanoviq, ju uroj për zgjedhjen në postin e presidentit. Vlerësoj se zhvillimi i marrëdhënieve ruso-malazeze në frymën e miqësisë tradicionale do të jetë në pajtim me interesat e popujve të të dyja vendeve”, thuhet në urim, shkruan KP.

Marrëdhëniet Rusi-Mali i Zi janë tensionuar pas hyrjes së ish-republikës jugosllave në NATO dhe bashkëngjitjes së sanksioneve të Perëndimit kundër Moskës.

Millo Gjukanoviqi është president i ri i Malit të Zi, pasi në zgjedhjet e së dielës mori 54 për qind të votave në rrethin e parë.