Botë

Australia digjet nga i nxehti, SHBA përjeton acarin pranveror

Qindra fluturime janë anuluar, ndërsa autostradat janë mbuluar nga akulli në disa shtete amerikane, teksa një stuhi vdekjeprurëse ka goditur pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara, nga brigjet e Gjirit të Meksikës e deri në liqenet veriore, duke sjellë dëborë, erëra të forta, reshje shiu dhe breshëri.

Në Aeroportin ndërkombëtar “St. Paul” të Minneapolisit avionët kanë qëndruar në tokë, pasi stuhia pranverore e borës e bëri tejet të vështirë mbajtjen pastër të pistës, ndërsa avionët ishin të mbuluar nga shtresa akulli e bore. Afro 470 fluturime u anuluan, përpara se njëra prej pistave të hapej për pak kohë pas orës 22 të mbrëmjes, tha një zëdhënës i aeroportit.

Edhe ndeshja mes Minnesota Twins dhe Chicago White Sox, e parashikuar mbrëmjen e së shtunës, u shty për të dytën herë këtë të dielë për shkak të dëborës që mbërriti në mbi 33 centimetra, sikurse edhe sfida mes Yankees dhe Tigers në Detroit.

Autoritetet mbyllën disa autostrada në jugperëndim të Minnesotës, ku u këshillua të mos lëvizej, ndërsa kushtet për drejtim automjeti u bënë tejet të vështira edhe në pjesën jugore të shtetit.

Shërbimi Kombëtar i Motit parashikoi mbi 51 cm dëborë në pjesën jugore të këtij shteti, përfshi Minneapolisin dhe St. Paulin, gjatë kësaj të diele. Moti pritet të vijojë i tillë edhe gjatë së dielës në Minnesota, Wisconsin, Michigan, përpara se stuhia t’u drejtohet shteteve New York dhe New England, transmeton Tch.

E ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me një valë “acari pranveror”, në pjesën tjetër të globit, qindra zjarrfikës australianë po luftojnë me një zjarr të fuqishëm që raportohet të ketë rrezikuar edhe disa shtëpi në periferitë jugore të Sydneyt.

Shërbimi Zjarrfikës i New South Wales shprehen të shqetësuar nga “thëngjinjtë fluturues” që mund të shkaktojnë vatra të reja zjarri, teksa përballen me frontin kryesor të flakëve.

Disa banorë të zonës janë udhëzuar të gjejnë vendstrehime të tjera të mundshme, pasi evakuimi në këtë moment është shumë i rrezikshëm. Së fundi, moti në juglindje të Australisë ka qenë tejet i nxehtë për periudhën aktuale të vitit.

Një zjarrfikës, Shane Fitzsimmons ka thënë se zjarri ka qenë “tejet agresiv”. Erërat e fuqishme po i çojnë flakët drejt zonave rurale të veriut dhe lindjes.

Pasagjerët e trenave lokalë kanë filmuar pamjet dramatike, teksa kanë qenë të detyruar gjatë udhëtimeve hekurudhore të kalonin shumë pranë zonave që po ndeshen me flakët.

Zjarri i fuqishëm thuhet të ketë prekur mbi 2.500 hektarë toke. Më shumë se 70 zjarrfikëse janë dërguar përgjatë rrugëve, në përpjekje për të ruajtur të paprekur distancën mes zonës së shkurreve dhe shtëpive të banuara, ndërsa helikopterët po hedhin ujë nga ajri.

Kryeministri Malcolm Turnbull lavdëroi reagimin e shërbimeve të emergjencës. “Kemi të bëjmë me një të nxehtë të pazakontë për këtë sezon dhe ky është një shqetësim i madh. Por, duhet të përballemi edhe me më të keqen, që nëna natyrë mund të na ofrojë. Sa më në vështirësi të vihen australianët nga natyra, aq më në pah del fryma dhe shpirti australian”, theksoi ai.