Botë

Sulmuesi në Muenster, gjerman 48 vjeç – kontaktonte me ekstremistë të djathtë

22:51 - Personi që goditi me furgon disa persona në qytetin gjerman Muenster, që la 3 të vdekur, përfshirë edhe veten e tij, dhe disa dhjetëra të plagosur, raportohet të ketë qenë shtetas gjerman dhe se nuk ka pasur lidhje me islamin.

Herbert Reul, ministër i brendshëm i Rhine-Westphalia Veriore, në Muenster, i ka thënë një televizioni gjerman se nuk ka “tregues se ka pasur prapavijë islamike”, raporton Reuters.

Zëdhënësi i Policisë, Andreas Bode, tha më herët: “Në ora 15:27, një automjet hyri në tarracën e restorantit... tre persona vdiqën, 20 u lënduan, dhe gjashtë prej tyre janë të lënduar rëndë”.

“Kryesi i këtij akti vrau veten në automjet”, shtoi Bode, transmeton Koha.net.

Edhe Reul tha se janë tre të vdekur, përfshirë edhe kryesin e aktit.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” raportoi në ueb-faqen e saj se kryesi i aktit ishte Jens R., 48 vjeçar, që jetonte rreth 2 km nga vendi i ngjarjes.

Transmetuesi ZDF tha se policia kanë kërkuar në apartamentin e tij dhe se ai ka pasur kontakte me ekstremistë të ekstremit të djathtë, por se nuk ka dëshmi deri më tani se edhe ai ka qenë ekstremist i djathtë.

“Sueddeutsche Zeitung” shkruan se ai kishte probleme psikike. Ndërsa ministria e Brendshme në Rhine-Westphalian Veriore nuk e konfirmoi, por as nuk e mohoi, raportimin.


Sulmuesi në Muenster ishte gjerman me probleme psikike

19:39 - Burri që supozohet të ketë ngarë një furgon në një restorant të shtunën në Muenster ka qenë shtetas gjerman me probleme psikike, ka shkruar “Sueddeutsche Zeitung” në edicionin e saj online, raporton Reuters.

Burri nuk raportohet të ketë pasur të kaluar terroriste, shton gazeta, duke cituar informatat e siguruara por pa dhënë burimin, transmeton Koha.net.


Konsullata e Kosovës në Frankfurt me numër emergjent telefoni pas sulmit në Muenster

18:46 - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, që njëherësh është edhe ministër i Jashtëm, ka dënuar sulmin e sotëm në Muenster, Gjermani, të cilin e quan “të ulët dhe qyqar”.

“I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve që humbën më të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarve shërim të shpejtë”, shkroi Pacolli, raporton Koha.net.

Kosova, tha ai, qëndron me Gjermaninë në këto momente të vështira.

“Qytetarët e Kosovës që kanë mundur të preken nga ky sulm për çdo lloj ndihme mund të kontaktojnë në këtë numër emergjent të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt. +49 176 681 497 36”, tha ai në fund.


Shoferi i automjetit në incidentin në Gjermani vrau veten

17:44 - Shoferi i një furgoni që goditi një turmë njerëzish në Muenster, ka vrarë veten, thotë policia, duke shtuar se nuk janë duke kërkuar për të dyshuar tjerë.

Policia ende nuk ka dalë me shifra të sakta për viktimat e këtij rasti.


Dyshohet se edhe sulmuesi ka vdekur

17:01 - Disa persona kanë vdekur kur një automjet përshpejtoi ndaj një turme në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Muenster, të shtunën.

Image

“Janë disa të vdekur, sipas të gjitha gjasave edhe i dyshuari”, ka thënë një zëdhënëse e Policisë, raporton Reuters, transmeton Koha.net.

Një burim sigurie ka shtuar: “Skenari është i tillë sa që sulmi nuk mund të përjashtohet”.


3 të vdekur dhe 30 të lënduar në sulmin në Gjermani

16:49 - Gazeta gjermane “Spiegel Online” ka raportuar se deri më tani dyshohet të kenë vdekur tre persona ndërsa rreth 30 të tjerë janë lënduar.

Informatat janë jozyrtare, transmeton Koha.net.


Vetura godet turmën në Gjermani, disa të vdekur

Një veturë ka goditur një grup personash në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Muenster, të shtunën, duke vrarë disa persona dhe duke lënë të lënduar disa të tjerë, ka raportuar Spiegel Online.

Image

Ende nuk është e qartë nëse incidenti është sulm, thotë kjo gazetë gjermane, transmeton Koha.net.