Botë

"Çakalli Carlos" merr dënimin e tretë me burgim të përjetshëm

Një gjykatë franceze i shqiptoi terroristit ndërkombëtar, i njohur si Çakalli Carlos, dënimin e tretë me burgim të përjetshëm, për një sulm vdekjeprurës në Paris, rreth 42 vjet më parë.

Carlos, i cili vjen nga Venezuela dhe emrin e vërtetë e ka Ilich Ramirez Sanchez, është duke shërbyer tashmë dy dënime të përjetshme në një burg të Francës, për vrasjen e tre njerëzve në vitin 1975 dhe për një seri sulmesh mbi trenat në Francë, të cilat kanë lënë 11 njerëz të vrarë dhe rreth 150 të plagosur në vitet 1982-83.

Dënimi i fundit për Ramirezin, 67 vjeç, dikur njëri nga kriminelët më të kërkuar në botë, është për një sulm me granatë në qendër të Parisit, i cili ka ndodhur në vitin 1974 dhe ka lënë dy njerëz të vrarë dhe 34 të plagosur.

Ramirez tha se gjyqi ka qenë "absurd" dhe se ai është gjykuar mbi dëshmi të rreme nga dëshmitarë që kanë qenë "të manipuluar" nga shërbimet franceze të sigurisë.

Ramirez ka përqafuar besimet marksiste në vitet 1970 dhe 1980, ndërsa shpesh i ka shfrytëzuar shtetet e bllokut lindor si streha të sigurta, nga të cilat ka planifikuar aktivitete terroriste në Evropën perëndimore.