Botë

“Putin dhe Erdogan do ta shkatërrojnë NATO-n”

Portali serb informer, i njohur për afrinë e tij me kryetarin serb Aleksandar Vuçiq sonte shkruan për takimin e zhvilluar ndërmjet liderit turk Recep Tayyp Erdogan dhe atij rus Vladimir Putin.

Sipas këtij shkrimi Putin dhe Erdgogan do ta shkatërrojnë paktin NATO. Gjithnjë sipas këtij shkrimi, Erdogan, vendi i të cilit është fuqia e dytë ushtarake në NATO, menjëherë pas SHBA-së, mund ta braktisë aleancën ushtarak perëndimore pasi që me Putinin në Ankara ka konfirmuar marrëveshjen për blerje të sistemit raketor rus S-400, transmeton Koha.net.

“Ata që po e kritikojnë vendimin tonë për të blerë S-400 për luftë kundër terrorizmit, le ta shikojnë veten. Pse heshtin për S-300 që e ka Greqia, e ne na thonë se ky është hap i gabuar? Ç’aleancë është kjo, ç’solidaritet është ky? Standardet e dyfishta ndoshta mund të kalojnë diku, por jo edhe te ne”, citohet të ketë thënë Erdogan.

Nga ana tjetër, Putin ka premtuar se Rusia do t’i përmbushë të gjitha dispozitat e marrëveshjes së nënshkruar në dhjetorin shkuar për sistemimin S-400.

“Po e përshpejtojmë prodhimin, e kemi finalizuar edhe çmimin. Me kërkesën e miqve tanë turq, e kemi shkruar afatin e dërgesës”, ka thënë Putin i cili nuk e tregoi çmimin.

Pas kësaj vizite, e sipas këtij portali, ekspertë thonë se Erdogan, i cili disa herë kishte paralajmëruar sedo ta braktisë NATO-në, këtë edhe mund ta bëjë. E braktisja, do të ishte “fund i i aleancës ushtarake perëndimore”.

Turqia dhe Rusia gjatë dy vjetëve të fundit janë bërë partnerë strategjikë. Rusia në Turqi ndërton centralin e saj të parë bërthamor me vlerë 20 miliardë dollarë.

Eksperti ushtarak turk Bajazit Karatas citohet të ketë thënë se turqit nuk duhet të frikësohen nga dalja prej NATO-s, pasi SHBA-ja nuk është më superfuqi. Me të pajtohet edhe analisti politik Ozdemir Akbal, i cili thotë se Putin dëshiron të krijojë aleancë të re.

Putin dhe Erdogan dje në Ankara janë takuar me kryetarin iranian Hasan Rohani dhe atje biseduan për Sirinë, transmeton Koha.net.