Botë

Tillerson kritikon politikat e Trumpit

Tashmë ish-sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka paralajmëruar rreth sjelljes dhe veprimeve shqetësuese të Rusisë, në fjalimin përshëndetës, pasi u largua nga ky post nga presidenti Trump, raporton KTV.

Ai gjatë këtij fjalimi as nuk e falënderoi Trumpin për punën e tij, e as nuk e çmoi politikën e tij. Ish-shefi i kompanisë Exxon Mobile kishte një seri keqkuptimesh publike me vetë Shtëpinë e Bardhë, pasi vitin e shkuar u emërua në këtë post.

Në fjalimin e tij, Tillerson tha se gjatë kësaj kohe është bërë punë e mirë, si ndërtimi i një raporti më të mirë me Kinën apo negociatat që do të fillojnë me Korenë Veriore. Por, sipas tij, duhet akoma më shumë punë ndaj sjelljeve të Rusisë.

Me zë që i dridhej dhe pamje shqetësuese Tillerson shtoi se ka biseduar me presidentin rreth ditëve në vijim. Zyrtarisht, sekretari i shtetit do të largohet nga posti më 31 mars, por punën e tij do ta kryejë zëvendësi i tij, John Sullivan deri në konfirmimin e Mike Pompeo në këtë post, aktualisht shef i CIA-s. Arsyetimi i presidenti lidhur me shkarkimin e Tillerson ishte se dallimet mes këtyre dyve arritën tek mospërputhja personale. Tillerson është vetëm një më shumë në serinë e disa personaliteteve, të cilët ose u shkarkuan, ose dhanë dorëheqje nga administrata e Trumpit.