Botë

Putin më 2014 urdhëroi rrëzimin e avionit me 110 pasagjerë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi rrëzimin e një avioni pasagjerësh, për të cilin u raportua se transportonte një bombë dhe kishte për shënjestër goditjen e ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore që u zhvilluan në 2014 në Soçi.

Kjo është konfirmuar nga vetë shefi i Kremlinit, transmeton abcnews.al. Në një film prej dy orësh, të publikuar në internet, Putin tregon se i është thënë se një avion i itenerarit Ukrainë-Turqi është rrëmbyer ndërsa Lojërat Olimpike sapo fillonin.

Pilotët e avionit që fluturonte nga Karkovi për në Stamboll me 110 persona në bord, njoftuan se një pasagjer kishte një bombë dhe kërkonte që të drejtonte mjetin fluturues për në Soçi. Në video, Putin shprehet se zyrtarët e sigurisë i thanë atij se procedura e emergjencës në një situatë të tillë detyron rrëzimin e avionit. “Unë u thashë atyre: veproni sipas planit”, tregon shefi i Kremlinit.

Disa minuta më pas presidenti rus merr një tjetër telefonatë që e informon atë se ishte një alarm i rremë, dhe në këtë mënyrë, mjeti fluturues nuk është rrëzuar. Dokumentari i quajtur “Putin”, është publikuar në rrjete sociale nga llogari që i përkasin menaxhimit shtetëror. Videoja vjen përpara zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit ku Putin ka të siguruar fitoren, pasi asnjë nga 7 kundërshtarët e tij nuk zotërojnë shumë mbështetje të popullit.

Në dokumentar presidenti rus e konsideron çmenduri rikthimin e Krimesë për Ukrainën dhe tregon se ajo çfar nuk mund të falë tek njerëzit është tradhtia. Putin thotë se deri më tani nuk është hasur me këtë fenomen. Një tjetër detaj interesant që bën me dije shefi i Kremlinit është se gjyshi i tij ka punuar si shef kuzhine për ish liderët e Rusisë si Vladimir Lenin dhe Joseph Stalin.