Botë

Trumpi pëson disfatë befasuese nga partia e tij

Në një disfatë madhore për Presidentin Donald Trump, Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga republikanët, nuk e arriti numrin e nevojshëm të votave për të miratuar paketën e reformës së kujdesit shëndetësor.

Vetëm një orë përpara seancës së planifikuar për votimin, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve e tërhoqi mbrapsht propozimin që do të anulonte dhe zëvendësonte Ligjin për Kujdesin e Përballueshëm, që kishte qenë një premtim kyç i fushatës elektorale të Trumpit.

Ky përfundim dramatik mund të shërbejë si një sinjal për të ardhmen e Presidentit Trump dhe të agjendës së tij legjislative.

Rëndësia ishte tepër e lartë. Presidenti Trump luftoi për secilën votë për të miratuar përpjekjen e parë të presidencës së tij për hartim politikash, por nuk ja doli dot, raporton VOA.

“Për pak e arritëm. Por, kur nuk ke asnjë votë nga pala tjetër, d.m.th. demokratët, është vërtet e vështirë”, u shpreh Trump.

Megjithëse Presidenti fajësoi palën tjetër, ishin realisht ndasitë brenda partisë së tij që i shkaktuan këtë disfatë.

Konservatorët e “Grupit të Lirisë” refuzuan negociatat e minutës së fundit me Nënpresidentin Mike Pence.

Dhe ndërsa republikanë të tjerë iu drejtuan mediave sociale për të shprehur pasiguritë e tyre, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, pas dështimit, u nis drejt Shtëpisë së Bardhë për ta dhënë vetë lajmin e keq.

Trump dhe Ryan, të cilët bashkëpunuan ngushtë për të përmbushur premtimin e tyre të rëndësishëm elektoral për të zëvendësuar planin e kujdesit shëndetësor të mbiquajtur Obamacare, u shprehën se kjo disfatë nuk ndryshon marrëdhënien e tyre.

“Më pëlqen kryetari Ryan. Ai punoi shumë, me grupime dhe fraksione të ndryshme”, tha Trump.

Por, ky ishte një dështim tepër personal për presidentin e ri, thotë Donald Kettl i Universitetit të Merilendit.

“Ai pati thënë se do ta dëshmonte se është ndërmjetësuesi më i mirë. Dhe, dështoi në të parën marrëveshje që duhet të arrinte”.

Kryetari Ryan u përpoq të minimizonte dëmin për Presidentin.

“Presidenti dha gjithçka në këtë përpjekje. Ai bëri gjithçka mundej që njerëzit të vlerësonin mundësitë që ofronte ky propozim”.

Por, Ryanit iu desh edhe të ribashkonte anëtarët e befasuar të partisë së tij.

“Është një dështim që na dëmton të gjithëve dhe ngrihet pyetja si ta marrim veten”, tha ligjvënësi Mike Coffman.

Republikanët e pezmatuar u larguan nga takimi duke u munduar të tingëllojnë optimistë për hapat e mëtejshëm të Presidentit Trump.

“Mendoj se do angazhohet më herët në të ardhmen për iniciativat e tjera të agjendës së tij. Mendoj se do t’u kushtojë më shumë kohë”, shtoi Coffman.

Ata gjithashtu pranojnë realitetin e ashpër se kanë ende shumë punë për të qeverisur.

“Kemi shumë për të bërë”, tha ligjvënësi Lee Zeldin.

U përballën ndërkohë me një Parti Demokrate të fuqizuar prej kritikave ndaj Presidentit.

“Na fajësoi neve për disfatën e kauzës së tij madhore? E pranojmë meritën”, deklaroi udhëheqësja demokrate Nancy Pelosi.

Një paralajmërim se kjo betejë është vetëm e para në shumë të tjera për Presidentin Trump.