Botë

Rusia zgjeron sferën e ndikimit

Descriptive Text

Ndërkohë që administrata Trump ende nuk e ka ndërtuar platformën e politikës së saj të jashtme, përparësitë dhe personelin, Rusia duket se e ka zgjeruar sferën dikur të tkurrur të ndikimit, duke shfrytëzuar të çarat në praninë amerikane në arenën ndërkombëtare.

Fjala është për një përpjekje globale, ku udhëheqësi rus Vladimir Putin ka përdorur muskujt në vende si Ukraina dhe Siria dhe ka tentuar të joshë aleatë të mundshëm, nga të cilët ai shpreson se do të nxjerrë përfitime më vonë. Fokusi është tek vendet që kanë lidhje të lëkundura me Washingtonin, që zënë pozita strategjike ose që kanë burime të bollshme natyrore.

Një çështje kyçe është se si do të zhvillohen marrëdhëniet e Putinit me presidentin ri Donald Trump. A mundet që dy këto personalitete të jenë aleatë kundër armiqve të përbashkët, si Shteti Islamik, çka mund të shoqërohej me një epokë të re bashkëpunimi? A do të ishte e mundur të kapërceheshin mosbesimi dhe armiqësia e madhe e akumuluar gjatë Luftës së Ftohtë? Dhe, a do të kenë pasoja afatgjatë përpjekjet që bëri Rusia për të mbështetur fushatën zgjedhore të zotit Trump?

Ndikimi i Rusisë, e cila rivalizonte me Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, u zbeh në mënyrë dramatike pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por, nën Putinin, Moska është përpjekur të kthehet në rolin e mëparshëm, me një aktivitet që shtrihet nga Deti i Veriut deri në Antarktidë.

Në nismën e saj të re, Rusia po përpiqet të luajë rol në Afganistan dhe ta transformojë veten në paqebërëse, nga luftënxitësja e dikurshme gjatë pushtimit të dështuar të këtij vendi që zgjati një dekadë.

Analistët e çështjeve afgane thonë se Moska synon të luajë një rol më aktiv afër kufijve të saj, pas veprimet në Siri.

Rusia është akuzuar për ndërhyrje politike kudo në Ballkan, ku siç thuhet u është kundërvënë interesave amerikane, duke i sabotuar ato në disa raste.

Rusia ka kultivuar gjithashtu marrëdhënie me Libinë, gjë që mund të çojë ose në një bashkëpunim me Uashingtonin, ose të shndërrohet në një pikë konflikti./VoA