Botë

Tre italianë dyshohet se janë shitur në Meksikë për 43 euro

Autoritetet meksikane kanë nisur proceduat hetuese penale ndaj katër policëve në lidhje me zhdukjen e tre burrave italianë.

Burrat e zhdukur – të tre nga Napoli – për herë të fundit janë parë më 31 janar në Tecalitlan, në shtetin perëndimor të Jaliscos.

Guvernatori i shtetit ka thënë se policët kanë pranuar se i kanë dorëzuar italianët tek një bandë lokale kriminale, raporton BBC.

Raffaele Russo, 60 vjeç, djali i tij 25-vjeç Antonio dhe nipi Vincenzo Cimmino, 29 vjeç, janë ndalur në një pompë benzine në Tecalitlan, qytet bujqësor, transmeton Koha.net.

Për herë të fundit që familjarët e tyre kanë dëgjuar nga ta në Itali ka qenë një mesazh në aplikacionin Whatsapp nga Russo duke thënë se u janë afruar disa policë që kanë ardhur me një kombi.

Sipas mesazhit, policia u kishte thënë atyre që t’i ndjekin nga pas.

Djali i njërit prej të zhdukurve më herët i ka thënë një radioje italiane se ata “janë shitur tek një bandë për 43 euro”, por zyrtarët rajonalë thonë se nuk mund të konfirmojnë një informacion të tillë.

Zona kontrollohet nga karteli “Jalisco New Generation”, një nga bandat më kriminale të Meksikës.

Deri më tani janë ndaluar dhe akuzuar katër policë, përfshirë edhe një police femër. Autoritetet meksikane thonë se tre policët po hetohen në lidhje me zhdukjen.