Botë

Steinmeier: Impuls pozitiv për rajonin zgjidhja e mosmarrëveshjeve Maqedoni – Greqi

Descriptive Text

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, kryeministri Zoran Zaev zhvilloi sot një takim me presidentin gjerman, Frank Walter Steinmeier gjatë të cilit e ka vlerësuar si jashtëzakonisht pozitiv dhe dinamik zhvillimin e deritanishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Në vitin që shënohen 25 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, partneriteti i thellë midis dy vendeve shfaqet edhe me faktin se Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Republikës së Maqedonisë me vlerë të shkëmbimit tregtar në lartësinë prej tre miliardë euro. Këtë bashkëpunim të frytshëm me Gjermaninë e konfirmojnë edhe prania e 200 kompanive, që kanë ngritur fabrikat e tyre në Maqedoni, duke krijuar rreth 20 mijë vende pune”, sipas një deklarate të zyrës për media të presidencës gjermane.

Dy liderët biseduan gjithashtu edhe për bashkëpunimin aktiv në fushën e sigurisë, politikën e mbrojtjes dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes me Greqinë, do t’i japë impuls pozitiv të gjithë rajonit dhe do të ndikojë dukshëm në stabilitet”, vlerësoi Steinmeier, transmeton KP.

“Fokusi është që të ndërtohet një frymë e re në marrëdhëniet tona, të hapet dialog për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, të ndërtohen ura për bashkëpunim, të bazuara në besimin dhe respektin e ndërsjellë”, theksoi nga ana e tij Zaev, sipas citimeve të bëra nga zyra e shtypit e presidencës gjermane.