Trump qorton FBI-në për masakrën në shkollën e mesme në Florida Foto: Reuters

Trump qorton FBI-në për masakrën në shkollën e mesme në Florida

18 shkurt 2018 09:08

Presidenti Donald Trump ka qortuar FBI-në për faktin se, sipas tij, ajo nuk i mori parasysh informacionet paralajmëruese përpara masakrës në një shkollë të mesme të Floridës.

Trump ka thënë në Twitter se agjencia “po shpenzonte shumë kohë duke u munduar të vërtetojë ndërhyrjen ruse” në fushatën e tij.

“Nuk ka asnjë ndërhyrje. Merruni me gjërat thelbësore dhe na bëni krenarë”, shtoi Presidenti amerikan, transmeton Tch.

Ndërsa Guvernatori i Floridas Rick Scott tha se kreu i Byrosë Federale të hetimeve duhet të japë dorëheqjen, ndërsa prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions urdhëroi një rishqyrtim, duke kritikuar dështimet e FBI-së.

Edhe disa prej të afërmve të 17 personave të vrarë të mërkurën në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland, ngritën zërin ndaj mosveprimit të agjencisë kryesore federale të zbatimit të ligjit.

FBI-ja pranoi se nuk kishte adresuar informacione shqetësuese lidhur me vrasësin 19-vjeçar. Në 5 janar, një person i afërt me të dyshuarin, kontaktoi Byronë Federale për të denoncuar sjelljen e rrezikshme të ish-studentit, dëshirën e tij për të vrarë njerëz, postimet shqetësuese në rrjetet sociale dhe faktin se ai zotëronte një armë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme