Botë

Kroacia nuk do t’lëshojë pe Serbisë për në BE

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka thënë se Kroacia s’e ka ndër mend të lëshojë pe ndaj Serbisë “vetëm për shkak se për të thuhen disa fjalë të mira në Strategjinë e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, transmeton Koha.net.

Siç njofton “veçernji list”, kryeministri kroat ka thënë kështu pas takimit me kryetarin e Komisionit Europian Jean –Claude Juncker.

ka thënë se qeveria e tij është fuqimisht proeuropaine dhe parimisht është për kultivim të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore dhe për ndihmë të gjitha vendeve në rrugën për në Bashkimin Europian.

”Me Serbinë kemi dy nivele marrëdhëniesh. Njëri janë marrëdhëniet e tashme e të ardhshme, tjetri ka të bëjë me të kaluarën. Të gjitha këto i kemi vënë në tavolinë gjatë vizitës së Aleksandar Vuçiqit, kemi gjetur metodologjinë si të flasim për to, përfshirë edhe çështjet e procedimit të krimeve të luftës, kufijtë, kompensimet e dëmeve të luftës. Nuk është me rëndësi në janë këto pjesë të strategjisë, kjo është diçka që Kroacia e zgjidh. Vetëm me të vërtetën dhe me përmbylljet e këtyre proceseve mund të shkojmë drejt pajtimit e bashkëpunimit”, ka thënë Plenkoviq, përcjell Koha.net.

Nga ana tjetër Juncker ka thënë se vizita e Vuçiqit (në Kroaci) “ka qenë interesante”.

”Në Europë gjithmonë duhet të kem i durim. Pasojat e luftës, ato financiare e të tjera ndërmjet Gjermanisë e Luksemburgut kanë pasur periudhë 45 vjeçare për t’u zgjidhur. Ky ka qenë një proces i dhembshëm dhe është gjithmonë proces i vështirë. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë të hyjnë në BE, duhet t’i zgjidhin të gjitha çështjet bilaterale kufitare”, ka theksuar Juncker.