Botë

Trump e cilëson si “tejet politik” memorandumin e demokratëve për Rusinë

Descriptive Text

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se memorandum sekret i shkruar nga anëtarët demokratë të Kongresit amerikan, për ta kundërshtuar një dokument të republikanëve të publikuar së fundit, është “tejet politik” dhe duhet të “redaktohet” shumë.

Trump pardje e ka bllokuar publikimin e këtij memorandumi, i cili paraqet përgjigje ndaj memorandumit republikan, të cilin presidenti Trump e ka lejuar që të publikohet, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Në këtë memorandum të republikanëve pretendohet se agjencia FBI dhe Departamenti i drejtësisë kishin anuar kundër Trumpit në hetimet federale për Rusinë dhe për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

“Demokratët e kanë dërguar një memorandum të përgjigjes shumë politike dhe të gjatë, për të cilën ata e dinë se për shkak të burimeve dhe metodave, ai duhet të reduktohet rëndë, dhe pastaj ata do ta fajësojnë Shtëpinë e Bardhë për mungesë të transparencës”, ka shkruar mbrëmë Trump në rrjetin Twitter.

Këtë postim ai e ka përfunduar me fjalinë “thuajuni atyre ta ribëjnë dhe ta dërgojnë prapë në formën përkatëse”.

Vendimi i presidentit për ta bllokuar këtë memorandum i ka zemëruar demokratët, të cilët kanë vlerësuar se i vjen erë e standardit të dyfishtë për transparencë.

Më 2 shkurt, presidenti Trump e ka lejuar publikimin e memorandumit të republikanëve pa redaktime.

Demokratët thonë se në memorandumin republikan janë keqkarakterizuar informacionet shumë të ndjeshme sekrete dhe ato kishin për qëllim për ta diskredituar hetimin e këshilltarit special, Robert Mueller, lidhur me bashkëpunimin e fshehtë të mundshëm ndërmjet fushatës së Trumpit në vitin 2016 dhe Rusisë.