Botë

Arrestohen rreth 800 gra të ISIS-it, mbahen në rajonet kurde të Sirisë

Descriptive Text

Rreth 800 gra, të cilat i ishin bashkuar Shtetit Islamik po mbahen të arrestuara në rajonet kurde të Sirisë Veriore së bashku me fëmijët e tyre, njoftoi sot e përditshmja gjermane “Die Welt”, duke cituar një ekspert të terrorizmit nga organizata ndërkombëtare joqeveritare Human Rights Watch (HRW).

“Midis 800 prej tyre ishin 15 gra me shtetësi gjermane”, njoftoi Nadim Houry i HRW-së.

Ai tha për “Die Welt” se ishte takuar dhe biseduar me gratë në janar.

“Anëtaret e ISIS-it dhe fëmijët e tyre u arrestuan nëpër kampe të ndryshme në rajon”, shtoi ai.

Houry u bëri thirrje qeverive europiane që të lejonin kthimin e fëmijëve të tyre.

“Fëmijët nuk kanë kryer krime, ata janë viktima të luftës dhe shpeshherë të prindërve të tyre të radikalizuar”, theksoi Houry.