Botë

Trump bllokon publikimin e memorandumit të demokratëve rreth FBI-së dhe Rusisë

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti, Donald Trump, e ka bllokuar publikimin e memorandumit të përgatitur nga demokartët, me të cilin kundërshtohen akuzat e republikanëve për abuzim të autoritetit, të ndërlidhura me hetimin e agjencisë FBI për Rusinë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Don McGahn, në një letër dërguar dje Komitetit të Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese, ka shkruar se presidenti “nuk mund” ta bëjë publik memorandumin, për të cilin tha se përmbanë “një numër të pjesëve sekrete dhe veçanërisht të ndieshme”.

Mëtutje sipas zotit McGahn, Departamenti i drejtësisë i ka identifikuar disa pjesë të memorandumit që “do të krijonin veçanërisht shqetësime të rëndësishme për interesat e sigurisë kombëtare dhe të zbatimit të ligjit”.

Ky këshilltar i Shtëpisë së Bardhë u ka bërë thirrje demokratëve që ta rishkruajnë këtë memorandum, duke e shfrytëzuar ndihmën e Departamentit të drejtësisë dhe tha se Trump është ende i gatshëm për ta publikuar atë në interes të transparencës, nëse bëhen korrigjime.

Trump ka pretenduar se ai ishte shfajësuar krejtësisht nga një memoranduam i shkruar nga republikanët në Kongres, i cili e akuzon agjencinë FBI se i ka keqpërdorë autoritetet e vëzhgimit, gjatë një hetimi për lidhjet e mundshme të fushatës zgjedhore të Trumpit me Rusinë.

Kjo i ka shtyrë demokratët që ta shkruajnë memorandumin e tyre, në përpjekje për t’i hedhur poshtë akuzat në memorandumin e reublikanëve.