Tkurrja e të drejtave të njeriut

Tkurrja e të drejtave të njeriut

23 March 2017 11:06

Ndryshimet gjeopolitike dhe rritja e nacionalizmit populist kanë nisur një betejë të ashpër kundër të drejtave të njeriut

Për më pak se dy muaj si president, Donald Trumpi ka shkundur të drejtat e njeriut si një katastrofë natyrore. Duke filluar prej ndalimit të imigrimit e deri te përkrahja e tij për tortura, Trump ka hedhur përtokë, së paku në teori dhe jo në praktikë, gjitha vlerat amerikane: promovimi i vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut jashtë Shteteve të Bashkuara. Por, më e keqja ende nuk ka ardhur. Trumpi ka lavdëruar autokratët dhe ka kërkuar ndryshime në institucionet ndërkombëtare, transmeton Koha Ditore.

Ai e përshkroi si “djalë fantastik” burrështetasin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe mohoi lajmet se ka represion nga Vladimir Putini i Rusisë, Bashar al-Assadi i Sirisë dhe Recep Tayyip Erdogani i Turqisë. Siç tha Trumpi në fjalimin e inaugurimit, se “është e drejtë e çdo kombi që së pari të mendojë për interesat e veta. Ne nuk kërkojmë që stilin tonë t’ia imponojmë dikujt tjetër”. Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i “Human Rights Watch”, ka shkruar se zgjedhja e Trumpit si president e ka çuar botën në një errësirë dhe kërcënon të rikthejë të arriturat e lëvizjes moderne për të drejtat e njeriut.

Të drejtat e njeriut dhe ngritja e Trumpit

Kjo nuk është asgjë e re. Në fakt, ngritja e Trumpit vetëm sa aktualizoi sfidat me të cilat përballej projekti i të drejtave globale. Gjatë dekadës së fundit, rendi ndërkombëtar ka ndërruar kahe në drejtim të fuqive të reja, siç janë Kina e Xi Jinpingut dhe Rusia e Putinit, të cilat nuk pajtohen me territoret si Çeçenia dhe Tibeti. Këto fuqi jo vetëm që kanë rritur pakënaqësinë në shtetet e tyre, por i kanë dhënë përkrahje qeverive abuzuese prej Manilas deri në Damask. Diktatorët e padëshiruar nga Perëndimi, tani mund të frymëzohen nga Kina për përkrahje politike dhe nuk do të kenë nevojë për atë financiare e diplomatike.

Ky trend është forcuar nga revoltat e populizmit nacionalist nëpër Europë që sulmojnë institucionet e të drejtave të njeriut dhe sistemet ekonomike. Me populizmin që po kapërdin botën dhe rritjen e superfuqive, vizioni post-Vestfalian i rendit global po shndërrohet në një periudhë të sovranitetit të ringjallur. Globalizimi i pakontrolluar dhe internacionalizmi liberal po shkrihen në një botë të të drejtave post-njerëzore. Kjo rrezikon të shembë gjithë ato arritje për të drejtat e njeriut që kanë nisur në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila u adoptua në vitin 1948, ka qenë vazhdimësi e disa traktateve dhe konventave që garantonin të drejta civile, politike, sociale dhe ekonomike. Përmes këtyre konventave u siguruan të drejta edhe për refugjatët, gratë dhe fëmijët. Shembja e Bashkimit Sovjetik dhe fundi i Luftës së Ftohtë, shërbeu si përforcim i të drejtave të njeriut brenda sistemit ndërkombëtar. Përkundër dështimit të botës që të ndalojë masakrat në vende si Ruanda dhe Bosnja, vitet 90’ do të shfaqnin ndikimin emergjent të të drejtave të njeriu.

Në këtë dekadë do të shfaqet një imperium i të drejtave të njeriut: kalimi ndërkufitar, ankorimi i këtyre të drejtave në OKB dhe Bashkim Evropian dhe mbikëqyrja e tyre nga organizatat joqeveritare dhe një klasë e re e aktivistëve profesionistë. Profesionalizimi i të drejtave të njeriut ishte paralelizuar nga avancimi i gjykatës ndërkombëtare kriminale. Gjatë kësaj dekade formohet tribunali ad-hoc për Ruandën dhe ish-Jugosllavinë. Formimi i këtij tribunali u vulos në vitin 1998 kur u nënshkrua Statuti i Romës që krijoi Gjykatën Ndërkombëtare për Krime, arritje kjo që sekretari i atëhershëm gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan e cilësoi si “një hap të madh drejt avancimit të të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit”. Në letër, qytetarët në shumicën e vendeve tani gëzojnë diku 400 të drejta. Siç shkroi Michael Ignatieff në vitin 2007, të drejtat e njeriut janë bërë asgjë më shumë se një “gjuhë dominuese për të mirën e publikut nëpër gjithë botën”. Rol vendimtar në zgjerimin legal dhe normativ të të drejtave të njeriut ka pasur rritja e madhe e integrimit ekonomik në të cilën kufijtë e shteteve u zhdukën dhe bota u fundos nën ndikimin e globalizimit dhe avancimit të teknologjisë.

Fundi i evolucionit ideologjik me të drejtat e njeriut

Siç ishte ngulitur në sistemin ekonomik, projekti i të drejtave të njeriut arriti të pashmangshmen: ngjashëm si politika demokratike dhe kapitalizmit me treg të lirë, të drejtat e njeriut u bënë pjesë triumfuese e pakos neoliberale që Francis Fukuyama në vitin 1989 e identifikoi si “fundi i evolucionit ideologjik të njerëzimit”.

Në vitin 2013, njëri prej njohësve më të mirë amerikan për ligjin ndërkombëtar, Peter J.Spiro, parashikoi se avancimet legale dhe globalizimi ekonomik ka sjellë “muzgun e sovranitetit”. Fatou Bensouda, kryeprokuror i GJND-së, ka argument të ngjashëm se krijimi i gjykatës inauguroi erën e re të politikës post-Vestfaliane, në të cilën, diktatorët do të kishin përgjegjësinë për abuzimet serioze që i kanë bërë kundër popujve të vet.

Por në vitin 2017, në kohën kur është rritur destabiliteti, në të cilën frytet e globalizimit dështuan të materializohen, këto dokumente të vjetra kolapsuan. Në “kohën e tanishme të zemërimit”, siç e ka quajtur Pankaj Mishra, të drejtat e njeriut janë bërë cak i populizmit të krahut të djathtë dhe elitës.

Themelet e botës së re mund të shihen në Europë, Lindje të Mesme, Azinë Qendrore e deri në Paqësor. Qeveritë injorojnë obligimet për të drejtat e njeriut duke u frikësuar nga sanksionet. Për gjashtë vjet, qytetet e Sirisë janë shndërruar në varre, përkundër shpikjeve legale për të mbrojtur doktrinën e të drejtave të njeriut në këtë vend. Ndërkohë, qeveritë evropiane nuk përfillin obligimin e tyre për të ofruar azil për qindra e mijëra sirianëve që kanë ikur shkaku i luftës civile.

Që të jemi të qartë, jo krejt këto zhvillime janë të reja: traktatet e të drejtave ndërkombëtare gjithmonë kanë përfaqësuar një bazë të cilën shumë shtete nuk e kanë respektuar.

Refuzimi i lirisë globale

Nëse vjetërsia e të drejtave të njeriut në të cilën vijat e historisë ishin të qarta, sot nuk dihet nëse historia ka një dizajn të tillë. Sipas raportit të fundit të Freedom in the World, të publikuar në janar nga Freedom House, viti 2016 shënoi vitin e 11 me radhë të refuzimit të lirisë globale. Ishte gjithashtu vit në të cilin 67 shtete dështuan në liritë politike dhe lirinë civile. Parimet bazë të institucioneve ndërkombëtare tani janë nën rrethim.

Në tetor, tri shtete afrikane – Afrika e Jugut, Burundi dhe Gambia – njoftuan për tërheqjen e tyre nga GJND-ja. Ky vendim erdhi pas dorëheqjes së presidentit autokrat Yahya Jammeh. Të zemëruar me padrejtësinë e GJND-së që sipas tyre mbron keqbërësit, liderët në këtë kontinent kanë bërë tërheqje kolektive nga kjo gjykatë.

Kritikat e afrikanëve reflektojnë mbi rritjen e vetëbesimit të qeverive që të refuzojnë të drejtat e njeriut si vlera “Perëndimore” dhe duke shuar organizatat lokale që punonin për këto principe të njohura si forca të jashtme. Kina dhe India kanë prezantuar ligjet e reja që ndalojnë punën organizatave të huaja joqeveritare dhe grupeve që pranojnë fonde të jashtme, përfshirë edhe ato që përkrahin të drejtat e njeriut.

Në Rusi, një “ligj për agjentët e huaj” u miratua në vitin 2012 dhe është përdorur fort për të ndaluar punën e organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe çdo kritikë e tyre ndaj qeverisë është cilësuar si e pabesë, e përkrahur nga të huajt dhe jo ruse. Edhe në Perëndim përkrahja për të drejtat e njeriut është duke u lëkundur. Në fushatën e tij të suksesshme për BREX-it, Nigel Farange, lideri i atëhershëm i Partisë së Pavarur, sulmoi Konventën Evropiane për të drejtat e njeriut, duke pohuar se komprometoi sigurinë britanike duke bllokuar Londrën që të rikthente shtetasit që ishin pjesë e Shtetit Islamik në Lindje të Mesme. Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trumpi demonizoi minoritetet, përkrahi torturën dhe shprehi admirimin e tij për diktatorët. Me këto ai arriti që të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, në një raport thuhet se përkrahësit e Perëndimit për institucionet legale siç është GJND-ja po ndryshojnë mendje, pasi ajo “ka cak problemet në shtete tjera”.

Luftimi i Trumpizmit

Në botën post të drejtave të njeriut, normat globale dhe institucionet do të vazhdojnë të ekzistojnë, por do të kenë formë më pak efektive. Kjo do të jetë një periudhë e garës mes superfuqive, të cilën Robert Kaplan e përshkruan si “botë më të zemëruar dhe të tmerrshme”.

Aktivistët e të drejtave të njeriut tashmë kanë paralajmëruar qasje dhe forma të reja për të mbrojtur këto të drejta. Në muajin dhjetor, RightStar, konsull për të drejtat e njeriut, doli me pesë strategji, të cilat organizatat joqeveritare mund t’i përdorin për të mbijetuar në “krizën ekzistenciale” të këtij momenti. Njëra prej strategjive ishte që grupet të tregojnë më saktë për rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe këtë ta përdorin si platformë për organizatat lokale. Philip Alston, veteran i të drejtave të njeriut dhe profesor i juridikut në Universitetin e New Yorkut, argumenton se lëvizjet për të drejtat e njeriut duhet të përballen me faktin se nuk kanë ofruar zgjidhje për faktorin kryesor të kësaj situate: pabarazinë e ekonomisë globale. Me rritjen e politikave autoritare, tani është koha që të kapen në politikë dhe të adoptojnë taktika pragmatike dhe fleksibile për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Mbrojtja e të drejtave do të vazhdojë të jetë e rëndësishme, por duhet krejt forca duhet të përqendrohet në gjykatat kombëtare dhe legjislaturë. Këtu ka fituar populizmi i krahut të djathtë. Këtu duhet të humben apo fitohen betejat kundër Trumpizmit dhe format e tij.

Marrë nga Foreign Policy

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme