Botë

Thatësira kërcënon me uri gjysmën e popullsisë në Somali

Descriptive Text

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka bërë të ditur se për shkak të thatësirës ekstreme, 6.2 milionë njerëz në Somali ballafaqohen me rrezikun e urisë, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mobilizohet urgjentisht për zgjidhjen e krizës.

Në një deklaratë të përbashkët nga Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i OKB-së dhe Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF), thuhet se thatësira ekstreme që po vazhdon në vend ka sjellë në kufirin e konsumit resurset e jetesës.

Në deklaratë theksohet se bujqësia është pranë zhdukjes dhe se kafshët kanë filluar të ngordhin, teksa theksohet nevoja për mobilizimin e gjithë botës për, siç thuhet, shpëtimin e jetëve të somalezëve.

Sipas deklaratës, 6.2 milionë njerëz gjenden në rrezik urie, ndërsa ky numër përkon me gati gjysmën e popullatës së Somalisë. Më tej, nënvizohet se katastrofa e re në vend mund të parandalohet vetëm përmes fushatës së ndihmave humanitare "urgjente" dhe "në shkallë të gjerë".

Për plotësimin e nevojave elementare në vend, siç thuhet në deklaratë, UNICEF dhe WFP kanë nevojë për një fond prej 450 milionë dollarësh. Ndërkohë, thuhet se përmes fondit të OKB-së që do të ngritet, në Somali do të dërgohen ushqime dhe ujë për qindra mijëra njerëz të prekur në tërë vendin.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i UNICEF-it, Christophe Boulierac, në një konferencë për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ka bërë të ditur se në Somali 944 mijë fëmijë do të përballen me rrezikun e urisë për shkak të thatësirës në Somali, duke shtuar se 185 mijë nga këta kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare për mbijetesë.

Boulierac më tej ka informuar se thatësira në vend ka ndikuar në mënyrë direkte edhe në procesin arsimor, ku tre milionë fëmijë kanë ngelur të privuar nga arsimi.