Botë

Lutje për luftën e ushtarëve turq në Siri edhe në xhami në Gjermani?

Descriptive Text

Ofensiva ushtarake turke kundër milicive kurde në Sirinë veriore po shoqërohet me mjaft reagime në Gjermani. Për këtë kanë ndikuar nga njëra anë lajmet për përdorimin gjatë kësaj ofensive të tankeve të prodhuara në Gjermani.

Dhe nga ana tjetër njoftimet që imamët e xhamive të shoqatës DiTiB kanë bërë thirrje që besimtarët të mblidhen dhe të luten për një ofensivë ushtarake të suksesshme, raporton DW.

Sipas “Spiegel Online”, në faqet e Facebook-ut të klerikëve islamikë mund të lexohen thirrje dhe lutje të tilla. Një imam nga Baden-Vyertembergu p.sh. ka shkruar “le të lutemi që ushtria jonë heroike dhe ushtarët tanë heroikë të dalin fitimtarë”.

A bëhen falje për luftën në Gjermani?

Shoqata islame DITIB, për të cilën thuhet se ka lidhje të ngushta me autoritetin shtetëror fetar Diyanet në Turqi, i hodhi akuzat poshtë kategorikisht dhe tha se nuk ishte bërë kurrë ndonjë thirrje qendrore.

Në një deklaratë të shoqatës me seli në Këln thuhej se vendimi se cilat lutje lexohen merret nga vetë komunitetet e të gjitha bashkësive fetare. Deklarata nuk përmbante asnjë shenjë distancimi.

Avokatja Seyran Atesh, ish-anëtare e Konferencës gjermane për fenë islame, nuk befasohet prej kësaj. Ajo e konsideron deklaratën se nuk ka pasur urdhër qendror, si “justifikim” të pastër.

Në intervistë me DW-në ajo thotë: “Vetë fakti që presidenti i Turqisë e komunikon përmes Diyanet-it këtë luftë si fetare, pra përdor për këtë institucionin e xhamisë, është sipas mendimit tim një skandal”.

Politikani turk Mustafa Yeneroglu, iu kundërvu këtyre thënieve në një intervistë me radion Deutschlandfunk: “Lutjet janë jo për luftën, por që ushtarët turq dhe aleatët e tyre të mbijetojnë si dhe për sigurinë e vendit, dhe kjo është ndoshta gjëja më e natyrshme që mund të ketë”.

Anëtari i partisë qeverisëse turke AKP vë në dukje duke iu referuar përvojave të tij personale në Gjermani se edhe në kishat e krishtera “bëhen lutje për mbrojtjen dhe si për ushtarët e rënë gjermanë”.

Seyran Atesh, e cili ka qenë një nga anëtaret themeluese të një xhamie liberale në Berlin, i konsideron këto krahasime si të qëllimshme. “Ka një konotacion tjetër, kur njerëzit si besimtarë i tërheqin në një luftë strategjike të përgatitur gjatë, e cila synon të fshehë gjëra të brendshme politike”.

Përpjekje për ndikim nga ana e Turqisë

Pas përpjekjes për grushtshtet në korrik 2016 në Turqi, autoritetet gjermane kanë konstatuar në mënyrë të përsëritur përpjekjet për ndikim nga ana e Turqisë. Ministria e Punëve të Brendshme gjermane shkruante në sqarim për parlamentin në dhjetor 2017 se qeveria në Ankara është duke u përpjekur për të ndikuar ndaj organizatave të lidhura me qeverinë, ndaj grupeve të interesit dhe ndaj bashkësive fetare.

Diskutime rreth ndikimit politik mbi myslimanët ka pasur në të kaluarën edhe përpara referendumit të diskutueshëm kushtetues, nëpërmjet të të cilit presidenti turk siguroi më shumë kompetenca në aparatin shtetëror. Në vijim imamët dhe kundërshtarët e Erdoganit nga radhët e lëvizjes Gylen kanë qenë nën vëzhgim.

Kërkesave të DW-së për të marrë ndonjë prononcim apo intervistë tek institutet e ndryshme të teologjisë islame në universitetet gjermane për rastin e lutjeve për luftën në xhami, përfaqësuesit e tyre iu përgjigjën me hezitim për të folur publikisht. Një arsye e mundshme është se përfaqësuesit e DiTiB-it janë gjithashtu anëtarë të përhershëm të grupit këshillues të shumë programeve për studimet e teologjisë islame. /dw