Botë

Protestuesit kërkojnë “arrestimin” e kryetarit të Londrës

Një grup i vogël i protestuesve nacionalistë kanë ndërprerë një fjalim të kryetarit të Londrës, Sadiq Khan dhe kanë kërkuar arrestimin e tij për tiraninë dhe mosrespektin ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

Protestuesit më pas janë larguar nga policia, pasi kanë detyruar kryetarin Khan të shtyjë fjalimin e tij për rreth 15 minuta, raporton REL.

Grupi ka brohoritur dhe ka bërë thirrje pro-Trumpit dhe pro-Brexitit.

Një person ka thënë: “Zonja dhe zotërinj, jemi këtu për të kryer një arrestim paqësor”.

Gazetari i ITV News, Paul Brand, ka thënë se ai ka biseduar me disa persona pasi janë larguar nga salla e konferencës.

“Ata pretendojnë se nuk janë grup racist, apo e të së djathtës ekstreme, mirëpo ata na kanë thënë se Khan nuk ka të drejtë të jetë kryetar i Londrës, duke iu referuar përkatësisë së tij fetare”, ka shkruar ai në Twitter.

Mirëpo Brand dhe gazetarë të tjerë, e kanë identifikuar grupin si anëtarë të së djathtës ekstreme, Liga e Mbrojtjes Angleze.

Khan disa herë është deklaruar përmes Twitter lidhur me presidentin Trump, duke thënë se ai nuk është i mirëseardhur në kryeqytetin britanik, pas atyre që kritikët i kanë cilësuar si komente raciste.