Botë

SHBA shkurton buxhetin në OKB

Shtetet e Bashkuara kanë përgëzuar vendimin për shkurtimin e buxhetit në Kombet e Bashkuara për 285 milionë dollarë gjatë vitit fiskal 2018-19, duke e cilësuar këtë si “hap të madh në drejtimin e duhur”.

Asambleja e Përgjithshme ka njoftuar se ka miratuar buxhetin në vlerë 5.396 miliardë dollarëve për dy vitet e ardhshme, apo 285 milionë dollarë më pak se periudha paraprake.

Sidoqoftë Shtetet e Bashkuara mbeten sërish vendi që kontribuon më së shumti në OKB, me 22 për qind të buxhetit të përgjithshëm të kësaj organizate.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, ka thënë se “joefikasiteti dhe tejkalimi i shpenzimeve” në këtë organizatë ka qenë i ditur tashmë.

“Ne nuk do të lejojmë që nga bujaria e popullit amerikan të përfitojë dikush apo ajo të mbetet e pakontrolluar”, ka thënë ajo.

Javën e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar se do të ndalojë ndihmën financiare për vendet që votojnë rezolutën e OKB-së, me anë të së cilës kundërshtohet vendimi i SHBA-së për njohjen e Jerusalemit, kryeqytet të Izraelit.

Rezoluta është miratuar me 128 vota për dhe nëntë kundër.